Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth aksidentit që ndodhi në rrugën Mitrovicë–Prishtinë ku vdiq futbollisti nga Vushtrria, Fatjon Bunjaku.
Sipas policisë në vetaksidentin e ndodhur në zonën e fshatit Maxhunaj, janë lënduar edhe dy persona.
“Më 07 qershor 2026, rreth orës 00:55, në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, në segmentin rrugor në zonën e fshatit Maxhunaj, ka ndodhur një aksident trafiku ku është përfshirë një veturë. Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit dhe dy pasagjerë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.
Ndërsa rreth orës 07:50, nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) është pranuar njoftimi se, përkundër përpjekjeve të personelit mjekësor, drejtuesi i automjetit viktima mashkull 22 vjeçar, ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra në aksident. Me urdhër të prokurorit kompetent, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Hetuesit e Njësisë Rajonale të Trafikut janë duke zhvilluar hetime për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit”, thuhet në njoftim.








