Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor dhe mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve.
Në zgjedhjet e sotme janë angazhuar mbi 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Kosovës deri në përfundimin e procesit zgjedhor.
Sipas njoftimit, angazhimi i tyre ka për qëllim trajtimin dhe procedimin e çdo parregullsie që mund të paraqitet gjatë zgjedhjeve.
“Në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku mbi 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje. Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”.








