Nesër, qytetarët e Kosovës do të votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa Klan Kosova do të jetë në një maratonë transmetimi, e cila vetëm se ka filluar nga dita e sotme.
Në lidhje direkte për emisionin special Info Magazine në Klan Kosova, “Zgjedhjet 2026”, gazetarja Bleona Thaçi ka raportuar nga komuna e Mitrovicës, ku edhe dha detajet nga kjo komunë.
“Në Mitrovicë, si duket atmosfera është e mirë. Kemi pa që ka lëvizje goxha të madhe të njerëzve, ndoshta edhe moti i mirë. Çka vlen të theksohet është ekipi jonë, unë dhe gazetari Flamur Gajtani do të raportojmë nga Mitrovica e Jugut, nga katër komunat veriore të Kosovës, dhe poashtu edhe nga komuna e Vushtrrisë. Numri i votuesve që kanë të drejtë vote në komunën e Mitrovicës së Jugut është 80 mijë e 271, ndërsa në komunën e Vushtrrisë 72 mijë e 489 votues, të cilët kanë të drejtë vote”.
Thaçi gjithashtu bëri të ditur se votues të rinj janë mbi 22 mijë, qytetarë të cilët kanë mbushur moshën dhe kanë të drejtë vote nga zgjedhjet e fundit parlamentare.
Gazetarja gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që për çdo parregullsi të kontaktojnë ekipet e Klan Kosovës në terren që nga mëngjesi e deri në mbrëmje gjatë ditës së nesërme (e diel) në të gjitha komunat e Kosovës.








