Arrestohet një person në Prishtinë për dyshime për keqpërdorim në prokurim publik dhe falsifikim dokumentesh

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se në koordinim me Policinë e Kosovës është arrestuar një person i dyshuar për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, si dhe për falsifikim dokumentesh.

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është kryer pas veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për një aktivitet prokurimi për furnizim me pajisje në Policinë e Kosovës.

“Në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, pas zhvillimit të veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për keqpërdorimin dhe mashtrimin në një aktivitet prokurimi për furnizime me pajisje në Policinë e Kosovës, sot është arrestuar një (1) person”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari me inicialet N.R. po hetohet për disa vepra penale.

“Sipas dyshimeve fillestare, i dyshuari me inicialet N.R, po hetohet për veprat penale: Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në Prokurim Publik nga neni 415 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe Falsifikimi i dokumenteve nga neni 390 të KPRK-së”, thuhet më tej.

Në njoftim bëhet e ditur se personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit.

“Arrestimi është realizuar nga Policia e Kosovës, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit, personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë”, theksohet në komunikatë.