Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës ka treguar gatishmëri për kompromis në procesin e zgjedhjes së presidentit, por ka kundërshtuar idenë që partia e tij të japë votat për një kandidat të propozuar ekskluzivisht nga një subjekt tjetër politik.
Në emisionin “VV Show” të gazetarit Vehbi Kajtazi, Hamza tha se në takimet dhe diskutimet e deritanishme ka paraqitur propozime konkrete për tejkalimin e ngërçit politik.
“Në rastin e parë i kam treguar që 22 vota të PDK-së janë të sigurta nëse dikush prej familjes Jashari kandidohet për president. Pastaj Murat Jashari ka dalë me deklaratë”, tha Hamza.
Ai shtoi se në një takim tjetër ka propozuar që presidenti të zgjidhet nga një kandidat i propozuar nga PDK-ja, pa qenë domosdoshmërisht pjesë e strukturave të partisë.
“Herën e dytë kur kemi biseduar i kam thënë që presidenti me u zgjedh i propozuari apo e propozuara prej PDK-së, jo domosdoshmërisht prej strukturës së PDK-së. Ka dalë ai një propozim, ai një, unë një, ashtu jo. Por unë dy, ti asnjë, sepse matematikën e di mirë edhe politikën e njoh”, u shpreh ai.
Sipas Hamzës, nuk është e pranueshme që një parti të kërkojë votat dhe kuorumin e partive të tjera, ndërsa njëkohësisht të insistojë që kandidati për president të jetë vetëm zgjedhje e saj.
“Nëse ti një, unë një, ti po më thua boma kuorumin, ndërsa kandidati me u zgjedh prej partisë tënde”, deklaroi Hamza.









