Osmani: Aleancën strategjike me Amerikën dikush e kishte halë në sy, na e ndërprenë rrugën në mes

Kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, ka deklaruar në tubimin elektoral të mbajtur në Kodrën e Trimave në Prishtinë se rruga shtetformuese e ndërtuar nga ish-presidenti Ibrahim Rugova dhe aleanca strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë “halë në sy” për kundërshtarët politikë, raporton Ekonomia Online.

Para mbështetësve të LDK-së, Osmani tha se pjesëmarrja e madhe në tubim është dëshmi se partia po shkon drejt një fitoreje të rëndësishme në zgjedhjet e 7 qershorit.

“Po na befasoni se sa të mëdhenj jeni, se çfarë zemre të madhe keni e, mbi të gjitha, se sa rugovistë të fortë jeni dhe që kurrë nuk keni hequr dorë. Kështu që, unë jam e bindur që edhe atyre që u ka mbetur sado pak dyshim – e mund të ketë të tillë – që dyshojnë në fitoren e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ata le të vijnë sonte, ata le ta shohin Kodrën e Trimave, ata le ta shohin këtë frymë të fitores dhe ata do ta kuptojnë që më 7 qershor bëhet kthesa e madhe historike dhe ju jeni arsyeja. Ju jeni arsyeja”, deklaroi Osmani.

Ajo foli edhe për raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se kjo aleancë është ndërtuar që nga koha e presidentit historik Ibrahim Rugova dhe duhet të ruhet edhe në të ardhmen.

“Jo rastësisht sonte në mesin tuaj po e shohim flamurin dardan krahas flamurit amerikan. Këta dy flamuj shkojnë bashkë. Këta dy flamuj kanë shkuar bashkë që nga koha e prijësit tonë historik, Ibrahim Rugova, dhe unë jam siguruar që këta dy flamuj të shkojnë bashkë edhe për pesë vite presidencë”, tha ajo.

Sipas Osmanit, ka pasur përpjekje për ta dëmtuar këtë orientim politik dhe strategjik të Kosovës.

“Prandaj këta dy flamuj, dikush i kishte halë në sy. Këta dy flamuj dhe këtë rrugë, këtë rrugë që e ndërtoi Rugova si prijësi ynë, dikush e kishte halë në sy. Aleancën strategjike me Amerikën dikush e kishte halë në sy. Prandaj edhe na e ndërprenë rrugën në mes, por unë jam e bindur që përgjigjen më të mirë ndaj atyre që na e ndërprenë rrugën në mes do t’ua jepni ju. Dhe kushtrimi i madh e rikthimi i madh i Lidhjes Demokratike do të fillojë pikërisht këtu, qysh ka filluar historikisht”, u shpreh Osmani.

Ajo foli për synimet e ardhshme të Kosovës, duke përmendur investimet në Prishtinë dhe integrimin euroatlantik të vendit.

“Prej 7 qershorit e tutje i përvishemi punëve të mëdha që e presin këtë vend. Prishtina si kryeqendër e zhvillimit të gjithë Kosovës. Prishtina me investimet më të mëdha që i ka njohur në historinë e saj për 27 vjet pas luftës. Prishtina, vendi ku do të merren vendime historike për shtetin tonë, e Kosova, shteti i 33-të, anëtari i NATO-s. Drejt e në NATO me institucionet që ju do t’i zgjidhni me votën tuaj”, tha Osmani.