Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka dalë me një njoftim për qytetarët që udhëtojnë ose kthehen nga Republika Demokratike e Kongos dhe Uganda, lidhur me situatën e sëmundjes Ebola.
Sipas IKSHPK-së, në Kosovë nuk është raportuar asnjë rast i konfirmuar me Ebola dhe aktualisht nuk ka dëshmi për transmetim lokal të virusit, ndërsa rreziku për popullatën mbetet shumë i ulët.
“Rreziku për popullatën e Kosovës mbetet shumë i ulët”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Si masë parandaluese, institucioni ka publikuar rekomandime për qytetarët që udhëtojnë drejt zonave të prekura, duke theksuar rëndësinë e informimit paraprak dhe zbatimit të masave mbrojtëse.
“Shmangni kontaktin me gjakun, lëngjet trupore dhe materialet e kontaminuara nga persona të sëmurë ose të vdekur nga Ebola”, thuhet ndër rekomandimet e IKSHPK-së.
Ndër të tjera, rekomandohet edhe higjiena e rregullt e duarve, shmangia e kontaktit me kafshët e egra, si dhe shmangia e konsumimit të mishit të tyre.
IKSHPK këshillon gjithashtu shmangien e marrëdhënieve seksuale të pambrojtura dhe hyrjen në shpella apo miniera ku mund të jetojnë lakuriqët e natës.
Për udhëtarët që kthehen nga Republika Demokratike e Kongos dhe Uganda, rekomandohet monitorim i gjendjes shëndetësore për 21 ditë, që përkon me periudhën maksimale të inkubacionit të virusit.
“Çdo person që kthehet nga zonat e prekura duhet të monitorojë gjendjen e tij shëndetësore për 21 ditë”, thekson IKSHPK.
Sipas njoftimit, simptomat kryesore përfshijnë temperaturë, lodhje të rëndë, dhimbje koke, dhimbje muskulore, të vjella, barkqitje dhe në raste më të rënda edhe gjakderdhje.
Në rast shfaqjeje të simptomave, qytetarët udhëzohen të shmangin kontaktin me të tjerët dhe të kontaktojnë menjëherë shërbimet shëndetësore, duke informuar për historinë e udhëtimit.
Në njoftim theksohet se Ebola transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me gjakun ose lëngjet trupore të personave apo kafshëve të infektuara, ndërsa nuk përhapet përmes ajrit apo kontaktit të zakonshëm.
Aktualisht nuk ekziston vaksinë apo trajtim specifik për Ebolën e shkaktuar nga virusi Bundibugyo, ndërsa respektimi i masave higjienike mbetet mënyra kryesore e parandalimit.








