Zgjedhjet, Costa mesazh liderëve politik: BE mund ta mbështesë Kosovën, por jo t’i kryejë detyrat e saj

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka përcjellë një mesazh për liderët politikë të Kosovës, duke theksuar se partneriteti me Bashkimin Evropian shoqërohet me përgjegjësi dhe angazhim konkret për zbatimin e reformave.

Në konferencën për media të mbajtur pas takimeve me përfaqësuesit politikë në vend, Costa tha se Bashkimi Evropian është i gatshëm ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj evropiane, por përgjegjësia për përmbushjen e detyrave mbetet tek institucionet dhe liderët vendorë.

“Kosova po shkon në zgjedhje këtë fundjavë dhe mesazhi im për të gjithë liderët politikë me të cilët u takova sot ishte i thjeshtë: partneriteti vjen me përgjegjësi. Bashkimi Evropian mund ta mbështesë Kosovën, por nuk mund t’i kryejë detyrat e saj, në vend të saj”, deklaroi Costa.

Ai nënvizoi se vendi ka nevojë për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale, të afta për të realizuar reformat e nevojshme dhe për të përfituar nga mundësitë që ofron Bashkimi Evropian.

“Kosova ka nevojë për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale, të afta për të realizuar reforma dhe për të shfrytëzuar mundësitë që ofron Bashkimi Evropian”, tha ai.

Presidenti i Këshillit Evropian theksoi se integrimi evropian duhet të mbetet prioritet i përbashkët i të gjitha forcave politike, pavarësisht dallimeve dhe përçarjeve në skenën politike.

“Në takimet e mia të sotme kam inkurajuar të gjithë akterët politikë që ta bëjnë integrimin evropian prioritet, përtej ndarjeve e përçarjeve politike dhe të punojnë së bashku drejt këtij objektivi të përbashkët”, u shpreh Costa.

Sipas tij, bashkëpunimi ndërmjet akterëve politikë dhe funksionalizimi i institucioneve janë elemente kyçe për avancimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian.