Presidenti i Këshillit Evropian: Kosova të dëshmojë me rezultate përkushtimin ndaj BE-së

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka theksuar rëndësinë e zbatimit të reformave dhe ndërtimit të një konsensusi të gjerë politik e shoqëror për avancimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.

Në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë, Costa foli për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i dorëzuar në vitin 2022, duke nënvizuar se progresi në këtë proces varet nga përmbushja e reformave të dakorduara.

Ai tha se është thelbësore që Kosova të vazhdojë zbatimin e agjendës së reformave dhe të japë rezultate konkrete në kuadër të procesit të anëtarësimit.

“Është shumë e rëndësishme që Kosova, hap pas hapi, t’i japë rezultatet e asaj që veçse jemi pajtuar”, deklaroi Costa.

Presidenti i Këshillit Evropian shprehu optimizëm se Bashkimi Evropian nuk do të paraqesë pengesa për Kosovën në fund të procesit të integrimit, nëse vendi i përmbush obligimet e marra.

“Unë besoj që në fund të procesit nuk do të kemi kurrfarë problemi nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, për momentin ajo çka na nevojitet është konsensusi i madh kombëtar në lidhje me anëtarësimin në BE”, tha ai.

Costa theksoi se ky konsensus duhet të reflektohet në veprime konkrete, të cilat do të dëshmojnë përkushtimin e Kosovës ndaj perspektivës evropiane dhe procesit të zgjerimit të BE-së.

“Kjo mund të përkthehet në veprime konkrete duke ruajtur qartë rrugën e këtij zgjerimi”, përfundoi ai.