Idriz Gashi po e ruante derën e Stacionit Policor të Skenderajt më 15 maj të këtij viti, derisa Sami Lushtaku po i ngjiste shkallët e objektit.
Atë ditë, e gjithë vëmendja ishte te kryetari i Komunës së Skenderajt.
Ai po shkonte në stacion në cilësinë e të dyshuarit për përfshirje në sulmin fizik ndaj zëvendësministrit Hysni Mehani. Do të merrej në pyetje për rolin e dyshuar të tij në incidentin që trazoi skenën politike në prag të nisjes së fushatës zgjedhore.
Mediat ishin mbledhur për të përcjellë çdo lëvizje të Lushtakut. Por pothuajse askush nuk e vuri re policin që qëndronte pranë hyrjes së objektit.
E megjithatë, historia e tij shkon përtej një incidenti mes dy figurave politike.
Pak më shumë se një vit më parë, Idriz Gashi ishte pjesë e Njësisë së Veçantë Hetimore të Policisë së Kosovës, një prej hetuesve që punuan në dosjen e ndjeshme korruptive të Faruk Mujkës, kryeshefit të ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”.
Sot, ai nuk merret më me hetimin e korrupsionit. Nuk kryen raporte hetimore dhe nuk punon më në njësinë elitare ku kishte ndërtuar karrierën.
Në korrik të vitit të kaluar, me vendim të Gazmend Hoxhës, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gashi është transferuar në Skenderaj. Është degraduar në pozitë si Mbikëqyrës i Ekipit Patrullues në trafik në Stacionin e Skenderajt, sipas një vendimi të cilin e publikoi Paparaci vitin e kaluar.
Në dispozitivin e vendimit thuhet se rreshteri Idriz Gashi është sistemuar në këtë pozitë “për një kohë të pacaktuar” dhe, ironikisht, me arsyetimin për ngritje të performancës së institucionit.

Gashi është vetëm një nga shembujt kur një hetues i Njësisë së Veçantë Hetimore, që merret me rastet e korrupsionit të profilit të lartë, nga zbulimi i aferave më të mëdha në vend përfundon duke ruajtur derën e një stacioni rajonal.
Shembull tjetër është ai i Shaip Elshanit, një zyrtar i lartë policor që hetoi lëndën më të madhe korruptive të Qeverisë Kurti – atë të Rezervave Shtetërore, që rezultoi me aktakuzë ndaj ish-ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarit dhe tre të tjerëve.
Nga gushti i vitit 2025, Elshani është degdisur larg nga Prishtina.
Me vendim që mban firmën e drejtorit të policisë, ai u degradua në pozitë si hetues në Sektorin e Hetimeve në Stacionin Policor në Malishevë.

Pak muaj para se të degradohej dhe të “izolohej” në Malishevë, Elshani, një zyrtar me gradën e policit të lartë në Policinë e Kosovës, kishte dorëzuar në Prokurorinë Speciale raportin hetimor për aferën e Rezervave Shtetërore, të cilin e kishte përpiluar vet.
Raporti, me bisedat në grupin WhatsApp, zbuloi komunikimet e ish-ministres Rozeta Hajdari me sekserin Ridvan Muharremi, të cilit i ishte krijuar qasje e plotë në dosjen rezervave, të shpallur sekrete nga qeveria.
Ai përshkruante veprimet inkriminuese të ish-ministres dhe dy zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në raport me dosjen “sekrete” të Rezervave Shtetërore.

Ndryshimet në strukturën e veçantë hetimore të Policisë së Kosovës, nuk kishin nisur në korrikun e vitit të kaluar. Zanafilla e shpërbërjes së njësisë kishte nisur më 2013, kur menaxhmenti e kishte shkarkuar ish-shefin e njësisë, Shemsi Hazirin.
Haziri, ishte marrë gjatë me hetimin e aferës financiare të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt.
Në kohën e largimit, ai po trajtonte disa lëndëve të tjera të korrupsionit të nivelit të lartë që përfshinte figura udhëheqëse në Qeverinë Kurti, përfshirë hetimet penale për ministren e Jashtme, Donika Gërvalla.

Largimin e Hazirit, drejtori Gazmend Hoxha e kishte cilësuar “ri-sistemim” dhe avancim të tij në detyrë.
Kryepolici kishte premtuar se hetimi për rastet e caktuara të korrupsionit do vazhdonte edhe pas largimit të Hazirit.
Si zëvendësim i Shemsi Hazirit, në krye të NjHV-së erdhi Besim Berisha, një major i Policisë së Kosovës me prejardhje nga Podujeva. Në media është raportuar se Berisha është më i afërt me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Njësia e Veçantë Hetimore është një strukturë e formuar në vitin 2010 nën emrin e Task Forcës Kundër Korrupsionit. Në vitin 2020, Task-Forcës iu ndërrua emri në Njësia e Veçantë Hetimore. Kompetencat dhe fushëveprimi i njësisë mbetën të njëjta. /Paparaci.com








