Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rrahman Rama, ka thënë se Kosova ka stagnuar në procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Sipas Ramës, Kosova momentalisht ndodhet në një pozitë më të keqe sesa që ishte në të kaluarën.
Për këtë regres, Rama ka thënë se fajtor janë sjelljet e udhëheqësve tanë politike.
“Nuk dua ta besoj që jemi larg, mirëpo me sjelljet tona në nivel shtetëror po largohemi vetë. Mendoj se jemi larguar dhe më se paku e kemi merituar këtë si shtet dhe si ushtrinë të cilën e kemi. Ne nuk e kemi merituar të jemi në këtë pozitë”, ka thënë Rama në VV Show.
Ish-komandanti i FSK-së, i cili në këto zgjedhje mban numrin 7 në listën e PDK-së, u deklaruar edhe për misionin e FSK-së në Gaza.
Sipas tij, ky vendim është marrë për shkak të besimit që aleatët ndërkombëtarë kanë ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Operacioni në Gaza është meritë e unifromës (FSK-së) dhe bindjes e besimit që partnerët ndërkombëtarë kanë te FSK. Ushtarët e FSK-së kanë dëshmuar që janë profesionistë dhe për atë arsye do të marrin pjesë në atë mision, jo për arsye politike. Në kuptimin politik është tjetër muhabet. Jo që kemi avancuar por kemi stagnuar”, ka thënë gjenerali Rrahman Rama në VV Show.









