Anulimi i “Defender Europe”, Rrahman Rama tregon çfarë i kishte thënë gjenerali i NATO-s

Gjenerali Rrahman Rama, kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka shpjeguar pasojat e ndikimeve politike që mund t’i shkaktojnë në sistemin e sigurisë, përkatësisht në ushtri dhe polici.

I ftuar në VV Show, Rama ka shpjeguar për herë të parë disa detaje në lidhje me anulimin e ushtrimit fushor “Defender Europe” në vitin 2023.

Sipas asaj që ka shpjeguar Rama, Kosova ishte përgatitur pothuajse për 10 vite për të organizuar një ushtrim të tillë.

“10 vjet kemi punuar për “Defender Europe”, i kemi lutur sikur zotin partnerët tanë ndërkombëtare për me qenë pjesë e kësaj… Kemi punuar 10 vjet duke i lutur dhe duke dëshmuar që jemi partner të denjë të këtij procesi dhe erdhëm në një moment që në ora 12 të natës anulohet. Gjeneralin Cavoli, të cilin e njoh personalisht më ka telefonuar pasi e ka marrë vendimin dhe më kërkuar falje në mënyrë miqësore”, ka deklaruar ish-komandanti i FSK-së, Rrahman Rama në VV Show.

Rama, i cili mban numrin 7 në listën e PDK-së deklaroi më tej duke thënë se gjenerali i NATO-s i kishte thënë që fajtorin ta gjejnë tek politikanët.

“Kurrë nuk kam menduar që ushtria e Kosovës ka me ardhë në këtë situatë për budallaki politike, gjenerali më tha më fal për vendimin por nuk kam qare, ai tha se ne duhet të flasim me politikanët dhe strukturat politike. Vetëm i imagjinojsha ushtarët tanë që kanë qenë aty prezent, të cilët as nuk e kanë ditur se çfarë po ndodh”, ka thënë Rama.