Ardian Gjini nga Prizreni: Kush ndjell frikë duke thënë “Serbia, Serbia”, është hajn e i korruptuar – Serbia kurrë më s’ka me guxu me shkelë në Kosovë

Në tubimin e radhës zgjedhor të koalicionit me numrin 128 në Komunën e Prizrenit, kandidati për kryeministër, Ardian Gjini, ka adresuar kritika të ashpra ndaj udhëheqjes aktuale, duke i akuzuar se po përdorin frikën ndaj Serbisë për të mbajtur pushtetin me çdo kusht.

Gjini theksoi se politikanët normalë, para se të vijnë në pushtet, ndërtojnë një vizion dhe një ëndërr të përbashkët për vendin. Ai u shpreh se kur njerëzit binden për këtë ëndërr, ata gjejnë rrugë për të bashkëpunuar sepse qëllimi i madh është më i rëndësishëm sesa emrat individualë. Sipas tij, kur qëllimi mungon, e gjithë energjia politike kthehet në luftë primitive dhe mallkime ndaj kundërshtarëve vetëm për të siguruar vota dhe për të mbetur në karrige, pa menduar për pasojat e mëdha që do t’i vuajë vendi.

Më tej, Gjini sqaroi se veprimet e pushtetit aktual që po çojnë ujë në mullirin e gabuar nuk janë thjesht rastësi, duke kujtuar mesazhet e fuqishme historike të lirisë.

Ai përmendi se nënshkrimi i Marrëveshjes së Kumanovës më 10 qershor – fiks në datën e Lidhjes së Prizrenit – dhe dëbimi i Kasapit të Ballkanit saktësisht 10 vjet pas fjalimit të tij në Gazimestan, ishin mesazhe të qarta nga aleatët se Kosova nuk është vetme dhe se ka pas vete NATO-n dhe Amerikën.

Në këtë kontekst, kandidati për kryeministër ftoi qytetarët që të mos bien pre e propagandës që synon t’i mbajë njerëzit në ankth të vazhdueshëm për të mbuluar korrupsionin.

“Nuk mallkohet kundërshtari politik për me marrë ma shumë vota për me mbet në pushtet, se pasojat nëse na nuk kyçemi kanë me kanë të mëdha. Cili është çmimi që një njeri të mbetet në pushtet t’u mallku vetëm për pushtet. Koicidenca që një pushtet gjithë kohën po qon ujë në mulli të gabum, nuk është koifidencë. Sa herë ta nini dikon sot tu thanë, Serbia Serbia Serbia, dine që të korruptuar janë edhe hajna. Janë tu ja pru në mendje popullit tonë që është dikush qaty që me u tut prej tyne. S’kemi çka me u tutë prej tyne, kurrë s’kanë me guxu me shti kamën në Kosovë, po këta dojnë me i majtë njerëzit krejt kohën në frikë”, deklaroi hapur Ardian Gjini në Prizren.