Prokuroria Themelore në Prishtinë ka reaguar ndaj publikimeve të fundit mediatike, duke i cilësuar ato si pretendime të pabazuara që, sipas saj, dëmtojnë integritetin profesional dhe krijojnë perceptime të gabuara në opinionin publik.
Në reagimin e saj, Prokuroria thekson se bëhet fjalë për një çështje që është trajtuar dhe mbyllur nga institucionet kompetente për shkak të mungesës së bazës ligjore për veprime të mëtejme.
“Publikimet e fundit të BIRN dhe Kallxo.com përmbajnë pretendime të pabazuara, që cenojnë integritetin tim profesional dhe krijojnë një perceptim të rremë në opinion publik”.
Sipas saj, riaktualizimi i kësaj teme në periudhën kur është hapur konkursi për Kryeprokuror të Shtetit ngre dyshime se qëllimi kryesor i raportimeve nuk është informimi i publikut, por dëmtimi i imazhit dhe reputacionit profesional.
“Raportimi që mbështetet në insinuata dhe interpretime të njëanshme, duke anashkaluar vendimet zyrtare të institucioneve përgjegjëse, nuk i shërben transparencës dhe as interesit publik”, thuhet në reagim transmeton Klankosova.tv.
Prokuroria vlerëson se raportime të tilla krijojnë perceptime të padrejta dhe cenojnë besimin në proceset institucionale.
Në reagim përmenden gjithashtu shqetësimet e vazhdueshme lidhur me përfshirjen e mediave në veprime operative të organeve të ndjekjes, si dhe memorandumet e bashkëpunimit që, sipas Prokurorisë, mund të krijojnë perceptimin e një qasjeje të privilegjuar në informacione apo procedura hetimore.
Më tej, Prokuroria thekson se mbetet e përkushtuar ndaj ushtrimit të detyrës në përputhje me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe standardet më të larta profesionale.
“ Nuk kërkojmë trajtim të privilegjuar dhe as mbrojtje nga kritika publike. Megjithatë, presim që çdo raportim të jetë i balancuar, i drejtë dhe i mbështetur në fakte të verifikuara”, thuhet në reagim, transmeton Klankosova.tv.
Në fund, Prokuroria u bën thirrje qytetarëve që këtë çështje ta vlerësojnë mbi bazën e fakteve, procedurave dhe vendimeve zyrtare të institucioneve kompetente, e jo mbi narrativat e krijuara në hapësirën publike.









