“Ju vraft Zoti, ju vraft Allahu”, mallkimet e të miturës që jehuan në tubimin e Albin Kurtit

Tubimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në Vushtrri u shoqërua me një skenë që ngre shqetësime serioze për mënyrën se si politika po depërton te fëmijët. Në skenë u ngjit një vajzë e mitur, e cila recitoi një poezi me përmbajtje të fortë politike, sulme ndaj kundërshtarëve dhe lavdërime për liderin e partisë.

Përfshirja e një fëmije në një aktivitet partiak është e rrezikshme, aq më tepër kur bëhet fjalë për një të mitur që reciton vargje të mbushura me zemërim, akuza dhe mallkime.

Veçanërisht problematike është gjuha e përdorur në poezi. Shprehje si “ju vraft Zoti”, “ju vraft Allahu” dhe etiketime si “kriminela” përbëjnë një formë të gjuhës së urrejtjes dhe demonizimit të kundërshtarit politik.

Po aq problematike janë thirrjet e përsëritura “Albin baba”, një formulim që krijon përshtypje të adhurimit ndaj një figure politike. Kur këto fjalë vendosen në gojën e një fëmije dhe transmetohen para qindra qytetarëve, mesazhi që përcillet është edhe më shqetësues.

Teksti i poezisë:

Oj Kosovë, Kosovë e mjera

Keq të lash, po kur u ktheva

Gjeta lluga edhe therra

E qyment, më shumë hekra

Kun fabrik në ty nuk gjeta

Ju vraft zoti juve kriminela

Pse i shkatërrut fabrikat

E i shit për hekra

I lat punëtorët më dorë në xhep

Kan punu të shkretit me vjet

E ju jau hëngrët mundimin e shkret

Ju vraft zoti, ju vraft Allahu

Kokit kan ma te zi se skllavi

Ai i pat përdor, as si prishi as si kalli

E ju i shkatrrut pa kurfar zori

Veq me ngajt mas dinari cili po i kap

E po i grabit i pari

Albin baba, albin baba, albin baba”