Në Treboviq të Pejës, kandidati dhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka zhvilluar një takim me banorët e këtij fshati dhe rrethinës, ku është pritur nga një numër i madh qytetarësh.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Haradinaj theksoi se gjithnjë e më shumë qytetarë, përfshirë edhe ata që nuk i përkasin bindjeve tradicionale të Aleancës, po i bashkohen këtij subjekti politik, duke e parë si zgjidhjen më të besueshme për të ardhmen e vendit.
“Gjithnjë e më shumë qytetarë, edhe nga bindje të tjera politike, po i bashkohen Aleancës, sepse tek ne po e shohin zgjidhjen më të mirë dhe më të besueshme për Kosovën në këto rrethana,” u shpreh Haradinaj.
Ai shtoi se qytetarët e këtij vendi përballen me mungesë investimesh dhe zhvillimi, duke theksuar nevojën për një qasje të re qeverisëse.
“Të rreshtuar me ne, me Aleancën, përtej çdo bindjeje tjetër, me bindjen se Kosova mund të bëhet më mirë. Sepse do ta bëjmë së bashku me ju, me planin tonë për siguri, energji dhe zhvillim të gjithanshëm,” theksoi ai.
Haradinaj përfundoi duke nënvizuar se Aleanca ka një pakt të vetëm politik.
“Paktin e kemi vetëm me ju, me qytetarët e këtij vendi,” deklaroi ai.









