Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Blerim Sinani, ka ngritur shqetësimin për dallimin e madh në rritjen e pagave mes sektorit privat dhe atij publik gjatë viteve të fundit.
Sipas Sinanit, para pesë vitesh një punëtor në sektorin privat paguhej mesatarisht rreth 350 euro, ndërsa sot paga e tij ka arritur në rreth 700 euro, me raste edhe më shumë, duke shënuar një rritje mbi 100 për qind.
Ai ka theksuar se punëtorët e sektorit publik nuk kanë përfituar rritje të ngjashme, duke shtuar se për shumë prej tyre pagat janë rritur më pak se 40 për qind, ndërsa për disa madje më pak se 25 për qind.
Sinani ka vlerësuar se për shkak të pagave të ulëta, shumë punonjës të sektorit publik janë detyruar të mbajnë edhe një vend të dytë pune për të siguruar jetesën e familjeve të tyre, ndërsa disa të tjerë kanë ndryshuar profesion.
“Rroga e mirë është dinjitet. Mos bëj kompromis me dinjitetin tënd”, ka deklaruar Sinani, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve në zgjedhje si kandidat me numrin 84 në listën e LDK-së.









