Gjini nga Podujeva: Dikush po do t’ia hapë gropën Kosovës

Aleanca mbajti tubimin e radhës zgjedhor në Podujevë në kuadër të zgjedhjeve të 7 qershorit, ku morën pjesë figura të rëndësishme të kësaj partie.

Kandidati për kryeministër nga kjo parti, Ardian Gjini, theksoi se në Kosovë po qeverisin njerëz që duan ta hapin “gropën për vendin”.

“Nëse në një vend të vogël si i joni, dikush ngreh majtas, dikush ngreh djathtas, sikush prapa e dikush para kemi me u vendnumëru, do të sillemi në vend. Edhe ne e dimë që kur sillesh në vend nuk mbetesh aty, por madje shkon në gropë. E në Kosovë janë ardhur disa njerëz që donë të hapin gropën për vendin tonë, janë duke e hapur gropën në emër të patriotizmit, në emër të punëve më fisnike të mundshme”, tha Gjini, raportoi KSP.

Ndërsa, Ramush Haradinaj kryetar nderi i Aleancës, tha se do të ishte i gatshëm të qeverisë edhe me Kurtin po të ishte në drejtimin e duhur.

“Ju e dini kam qeverisur një herë me presidentin Rugova, pastaj me presidentin Thaçi, më besoni se do të kisha bashkëqeverisur edhe me Kurtin nëse do të bindesha se drejtimin e ka në rregull, por nuk e kam marr këtë vendim. Kam dëshirë që Aleanca të qeverisë me vend, ta kryejë edhe një punë, unë e di që janë 100 punë në Kosovë por të paktën vetëm një…Aq e rëndësishme që ka qenë ushtria, aq është edhe ndërtimi i termocentralit që prodhon energji…Dy kontrata ia kam lënë Kurtit në tavolinë, një kontratë për një termocentral me qymyr, 450 megavat….në momentin që ka ardhur Kurti e ka anuluar, ka dërguar email Rozeta dhe ka thënë nuk e vazhdojmë këtë projekt”, u shpreh Haradinaj.