Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti ka kritikuar pushtetin aktual për dështimin e dy projekteve madhore në Kosovë.
Ai ka thënë se dy projektet madhore energjetike “Kosova e Re” dhe “Centrali i gazit”, sipas tij, mbesin padyshim projektet më strategjike të Kosovës sot dhe për dekadat në vijim, me rëndësi ekonomike dhe politike.
Sipas tij, të dy projektet kanë qenë të mbështetura nga aleati strategjik i Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Për të parin, u nënshkrua kontrata me një firmë amerikane në prezencë të Ambasadorit Amerikan në Prishtinë. Projekti i dytë ishte pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit, e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në prani të Presidentit Trump. Çfarë duhej tjetër për të kuptuar rëndësinë e këtyre projekteve për Kosovën dhe për marrëdhëniet e Kosovës me aleatin strategjik SHBA?!”, ka shkruar Hoti.
Ai ka thënë se sot, secili e ka të qartë se anulimi i këtyre projekteve strategjike nga Kurti, mbështetur nga individë të shumtë në politikë dhe në shoqërinë civile, sipas tij, ka qenë veprim anti-shtetëror dhe anti-amerikan.
“Fushata mashtruese për gjoja ndotje të ambientit, ndërkohë që dëshmohej përdorimi i teknologjisë së avancuar dhe të pastër nga prodhues të njohur perëndimor, ka qenë maskim i Kurtit dhe i mbështetësve të tij për mashtrimin e publikut. Kjo lloj fushate duket qartë se u ka shërbyer atyre që, për qëllimet e tyre ekonomike e politike, e duan Kosovën të varur nga importi i energjisë.”, ka thënë Hoti.
Hoti ka thënë se Qeveria e ardhshme duhet urgjentisht t’u kthehet zbatimit të këtyre projekteve.
“Kosova mund dhe do të bëhet neto eksportues i energjisë. Kosova mund t’i lejojë vetes të ketë varësi energjetike vetëm nga SHBA përmes projektit të gazit amerikan.”, ka thënë tutja ai. /Klankosova.tv








