Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka pritur sot në takim Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha.
Gjatë takimit, Hamza dhe ministri Hoxha diskutuan për zhvillimet politike në Kosovë, zgjedhjet e ardhshme dhe rëndësinë që vendi të ketë institucione stabile, funksionale dhe të përqendruara në interesat e qytetarëve.
Me këtë rast, Hamza vlerësoi lart angazhimin e ministrit Hoxha në mbështetje të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se ai ka qenë gjithmonë një zë i fuqishëm i Kosovës në çdo detyrë që ka ushtruar dhe në çdo forum ndërkombëtar ku ka përfaqësuar Shqipërinë.









