Koha e rregullt mes PSG-së dhe Arsenalit është mbyllur barazim 1-1, në finalen e madhe në Champions League, e cila po luhet në “Puskas Arena”, në Budapest.
Finalja e zhbllokua që në minutën e 5-të. Pas një topi të marrë në anësore dhe një vrapimi drejt portës, Kai Havertz u tregua i saktë, duke dërguar topin në portën e Safonov.
Në minutat në vijim, rasti më i diskutueshëm ishte ai i Bukayo Saka në minutën e 16-të, ku francezët pretenduan për një prekje të topit me dorë nga sulmuesi anglez brenda zonës dhe kërkuan penallti, por arbitri vazhdoi lojën normalisht.
Pjesa e parë mbyllet 0-1 për Arsenalin. Në minutën e 55-të, PSG kishte një mundësi të mirë shënimi nga goditja e dënimit, por gjuajtja e Achraf Hakimit ndalet nga David Raya.
Në minutën e 62-të, një ndërhyrje e gabuar e Cristhian Mosquera ndaj Khvicha Kvaratskhelia i kushton shtrenjtë Arsenalit. Arbitri kryesor i takimit tregon gishtin nga pika e bardhë e penalltisë, e cila konfirmohet edhe nga VAR.
Godet Ousmane Dembele, topi përfundon në rrjetë. Në minutën e 77-të, PSG i afrohet golit të dytë, por goditja e Kvaratskhelia përplaset në shtyllë.
Në minutën e 89-të, Vitinha kishte shansin e artë të shënonte golin e fitores, por goditja e portugezit përfundon pak mbi traversë.
Rezultati i 90-minutave mbyllet 1-1. Finalja do të shkojë në kohën shtesë prej 30 minutash. Në rast se rezultati nuk ndryshon as atëherë, fituesi i finales do të vendoset nga pika e bardhë e penalltisë.
The post Koha e rregullt në Budapest mbyllet në “paqe”. Finalja shkon në shtesë (video) appeared first on Telesport.









