Kompania “2A Group” ka reaguar në lidhje me proceset gjyqësore që lidhen me administrimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke denoncuar atë që e cilëson “anomali të paprecedentë ligjore dhe cënim të procesit të rregullt ligjor”.
Në një sqarim publik, kompania thekson se deri më tani asnjë instancë e gjykatave të faktit nuk i ka dhënë të drejtë shoqërisë “Mabco Construction” S.A.
Sipas “2A Group”, në 12 vendime të njëpasnjëshme të dhëna nga Gjykatat e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit, me pjesëmarrjen e mbi 20 gjyqtarëve të ndryshëm, është konfirmuar ekzistenca e rrezikut për këtë aset strategjik nga tentativa për përfshirjen e strukturave dhe detyrimeve të paautorizuara “offshore”.
“Vendimmarrja e fundit e Gjykatës së Lartë nuk përbën një zhvillim normal jurisprudencial, por një paradoks që ngre pikëpyetje thelbësore mbi funksionimin e shtetit të së drejtës. Është juridikisht e pakuptueshme dhe logjikisht e pamundur që një instancë e lartë të injorojë plotësisht një vëllim kaq masiv faktesh dhe të përmbysë një praktikë kaq të konsoliduar, duke disponuar në mënyrë të izoluar vetëm për njërin nga proceset”, thuhet ndër të tjera në sqarim.
Sqarimi i kompanisë 2A Group:
Shoqëria “2A Group” sh.p.k. sqaron opinionit publik dhe institucioneve mbikëqyrëse të sistemit të drejtësisë për të denoncuar një anomali të paprecedentë ligjore dhe një cenim flagrant të procesit të rregullt ligjor, lidhur me administrimin e interesave në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës (VIA).
Deri më sot, në përballjet e vazhdueshme gjyqësore, asnjë instancë e gjykatave të faktit nuk i ka dhënë të drejtë shoqërisë “Mabco Construction” S.A. Përkundrazi, përmes 12 vendimeve të njëpasnjëshme, të dhëna nga Gjykatat e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit me trupa që përfshijnë mbi 20 gjyqtarë të ndryshëm, është provuar me themel dhe me prova të pakontestueshme e vërteta. Këto gjykata kanë konfirmuar rrezikun objektiv që i kanosej këtij aseti strategjik nga tentativa për inkorporimin e strukturave të dyshimta dhe detyrimeve të paautorizuara “offshore”.
Vendimmarrja e fundit e Gjykatës së Lartë nuk përbën një zhvillim normal jurisprudencial, por një paradoks që ngre pikëpyetje thelbësore mbi funksionimin e shtetit të së drejtës. Është juridikisht e pakuptueshme dhe logjikisht e pamundur që një instancë e lartë të injorojë plotësisht një vëllim kaq masiv faktesh dhe të përmbysë një praktikë kaq të konsoliduar, duke disponuar në mënyrë të izoluar vetëm për njërin nga proceset.
Kjo anomali shpjegohet vetëm nga një fakt se ky nuk është një vendim i mbështetur në frymën dhe gërmën e ligjit, por një vendim i paracaktuar. Procesi është zhvilluar në kushtet e një konflikti të hapur dhe të njohur interesi, pasi kryesuesi i trupit gjykues ka raporte të afërta dhe të ngushta me përfaqësuesin ligjor të palës tjetër.
Shoqëria jonë e kishte denoncuar paraprakisht dhe zyrtarisht këtë fakt pranë organeve kompetente të drejtësisë, duke kërkuar garantimin e paanësisë përpara se ky vendim të merrej. Fakti që ky denoncim institucional u shpërfill dhe procesi u dërgua drejt një rezultati të paramenduar, tregon një mungesë të thellë të integritetit profesional dhe procedural në këtë gjykim të veçuar.
“2A Group” sh.p.k. deklaron me vendosmëri se një vendim i tillë i paracaktuar dhe thellësisht i vesuar nuk do të shërbejë si mjet për të legjitimuar asnjë skemë të errët financiare mbi Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Beteja ligjore do të vazhdoje në të gjitha instancat e nevojshme, për të zhbërë këtë absurditet juridik dhe për të mbrojtur këtë aset të rëndësisë kombëtare nga interesat “offshore”.
P.S
Vendimi i gjykates se larte ka te bëjë vetëm me njerën nga masat e sigurimit te padise dhe nuk lidhet me shqyrtim themeli.









