Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se alokimi i dy milionë eurove për subvencionimin e avio-kompanive për shtimin e linjave të udhëtimit, nuk ka të bëjë me zgjedhjet e 7 qershorit.
Në një konferencë për media nga ndërtesa e qeverisë të enjten, Kurti ka deklaruar se subvencionimi i avio-kompanive lidhet me tërë stinorin e verës: nga qershori deri në fund të tetorit.
“Sa i përket alokimit të mjeteve prej dy milionë euro, këtë e kam shpjeguar me një tekst në faqen time në Facebook dje pasdite. Gjithçka është në shërbim të qytetarëve dhe bëhet fjalë për një mbulim të një gjendje të jashtëzakonshme që po e bëjnë edhe vendet e tjera. Nuk ka të bëj me muajin qershor, por ka të bëjë me gjithë stinën e verës deri në fund të tetorit. Pra, do të vepronim po të kishim kuvend, por meqë s’kemi kuvend po bëjmë sa mundemi e dijmë”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, qeveria po bën gjithçka që është e mundur për t’u ndihmuar qytetarëve në përballje me inflacionin.
“Së pari, ju të gjithë e dini që ne kemi pasur në plan të bëjmë pakon për përballje me inflacion 2.0 por kjo nuk u mundësua për shkak se u shkaktuan zgjedhjet e parakohshme, të panevojshme dhe tash ne po përpiqemi të bëjmë çka është e mundur në mënyrë që qytetarët e Republikës, në përballje me nevojat e shtuara, t’ju dalim Zot atyre”, ka thënë ai.
“Rritjen ekonomike të vendit tonë ne nuk e mbajmë për shtet, e shpërndajmë për qytetarët”, ka thënë kryeministri.








