Florian Dushi akuzon qeverinë për kriminalizim të procesit zgjedhor: Opozita të shqyrtojë pjesëmarrjen

Nënkryetari i Prishtinës, Florian Dushi ka ngritur shqetësime për  procesin zgjedhor në Kosovë, duke thënë se janë kriminalizuar zgjedhjet përmes përdorimit të resurseve shtetërore nga pushteti.

Dushi ka deklaruar se legjislacioni zgjedhor i Kosovës bazohet në disa parime themelore demokratike, si barazia e pjesëmarrësve në zgjedhje dhe ndalimi i përdorimit të buxhetit të shtetit për favorizimin e subjekteve politike apo kandidatëve.

Sipas tij, pas shpalljes së zgjedhjeve, qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka marrë disa vendime me implikime të drejtpërdrejta buxhetore, të cilat, sipas Dushit, kanë për synim targetimin e grupeve të caktuara të votuesve.

“Kriminalizimi i zgjedhjeve: Opozita të shqyrtojë pjesëmarrjen. Legjislacioni zgjedhor i Kosovës ka përvetësuar disa nga parimet themelore të proklamuara botërisht, si parime pa të cilat zgjedhjet nuk mund të konsiderohen as të lira e as demokratike. Ndër këto parime, që duhet të respektohen nga secili dhe në çdo rrethanë, janë barazia e pjesëmarrësve në zgjedhje dhe mospërdorimi i resurseve qeveritare e i buxhetit të shtetit për ta favorizuar një subjekt politik apo kandidat pjesëmarrës në zgjedhje.

Pas shpalljes së zgjedhjeve, më saktësisht krejt në prag të ditës së zgjedhjeve, qeveria e udhëhequr nga Kurti, i cili njëherësh është edhe udhëheqës i organizatës së tij politike pjesëmarrëse në zgjedhje, ka nxjerrë disa vendime me implikime të drejtpërdrejta buxhetore dhe me synim targetimin e grupeve të caktuara të votuesve. Vendime të tilla, që në thelb synojnë blerjen masive të votës përmes parasë publike, janë të kundërligjshme dhe cenojnë rëndë integritetin e zgjedhjeve, madje në këtë formë procesi zgjedhor deformohet dhe kriminalizohet.”, ka deklaruar ai.

Dushi ka vlerësuar se përmes këtyre veprimeve procesi zgjedhor “deformohet dhe kriminalizohet”, ndërsa ka kërkuar që opozita ta shqyrtojë seriozisht pjesëmarrjen në zgjedhje.

“Vendime të tilla, që në thelb synojnë blerjen masive të votës përmes parasë publike, janë të kundërligjshme dhe cenojnë rëndë integritetin e zgjedhjeve, madje në këtë formë procesi zgjedhor deformohet dhe kriminalizohet.

Përballë një situate të tillë, opozita duhet ta rimendojë seriozisht çështjen e pjesëmarrjes në një proces zgjedhor që po humb çdo standard demokratik dhe kushtetues”, thotë ai.