Dosja e “Lo Zio”, shqiptari që terrorizonte rivalët: Si u rrëmbye dhe u vra italiani

Një dosje voluminoze e palës italiane, e siguruar nga Euronews hedh dritë mbi një organizatë kriminale me bazë në Barletta të Italisë, që sipas Antimafias drejtohej nga shtetasi shqiptar Igli Kamberi, i njohur me nofkën “Lo Zio” ose “Michele”. Autoritetet italiane e konsiderojnë atë figurën kyçe të trafikut të drogës në zonë dhe organizatorin e një ekzekutimi mafioz që tronditi rajonin e Puglias.

Dokumenti lidhet me vrasjen e 26-vjeçarit Francesco Diviesti, i cili u zhduk mbrëmjen e 25 prillit 2025 dhe u gjet disa ditë më vonë i vrarë dhe i karbonizuar në një gurore të braktisur në Canosa di Puglia. Sipas hetimeve, viktima ishte rrëmbyer në Barletta, transportuar me një automjet të monitoruar nga DIA italiane dhe më pas ishte ekzekutuar me armë zjarri në një zonë të izoluar, ku trupi iu dogj me goma dhe lëndë djegëse për të zhdukur gjurmët.

Në qendër të dosjes del emri i Igli Kamberit, të cilin prokuroria italiane e përshkruan si drejtues të një grupi kriminal që ushtronte kontroll mbi trafikun e drogës në territorin e Barlettës. Sipas hetuesve, organizata funksiononte me strukturë hierarkike dhe përdorte metoda tipike mafioze për të imponuar kontrollin në territor dhe për të frikësuar rivalët.

Hetimet tregojnë se konflikti që çoi në vrasje nisi pas një përleshjeje të dhunshme pranë “Cafè Bistrot” në Barletta, mes grupeve rivale të përfshira në shpërndarjen e drogës. Pas konfliktit fizik, sipas prokurorisë, Kamberi mobilizoi njerëzit e tij për një ekspeditë ndëshkuese ndaj rivalëve.

Një nga elementët më të fortë të dosjes janë përgjimet ambientale të kryera brenda banesës së Kamberit. Në një prej regjistrimeve, ai dëgjohet duke shprehur hapur zemërimin dhe qëllimet hakmarrëse pas konfliktit, çka sipas hetuesve tregon paramendim dhe rol komandues në organizatë.

Dosja zbulon gjithashtu se hetimi kishte dimension ndërkombëtar dhe përfshinte një skuadër të përbashkët hetimore Itali-Shqipëri. Autoritetet shqiptare dhe italiane kanë bashkëpunuar për monitorimin e lëvizjeve dhe kontakteve të personave të përfshirë në grup, duke treguar se hetimi konsiderohej me rëndësi të veçantë për shkak të karakterit transnacional të organizatës.

Një tjetër element domethënës është fakti se përgjimet kanë regjistruar Kamberin duke folur pjesërisht në gjuhën shqipe gjatë momenteve të tensionit pas konfliktit që parapriu vrasjen. Për hetuesit italianë, kjo konsiderohet tregues i lidhjeve të forta shqiptare brenda strukturës kriminale.

Sipas prokurorisë, ekzekutimi kishte të gjitha karakteristikat e një atentati mafioz: viktima u çua në një zonë të errët dhe të izoluar, u qëllua me dy armë të ndryshme dhe më pas trupi iu dogj për të krijuar terror dhe për të dhënë një mesazh force ndaj rivalëve në trafikun e drogës.

Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmon se viktima u godit me të paktën pesë plumba në kokë dhe kraharor, ndërsa pozicioni i plagëve sugjeron se ndodhej në gjendje nënshtrimi fizik në momentin e ekzekutimit. Më pas trupi u vendos mes gomave të makinave dhe iu vu flaka menjëherë pas vdekjes.