Ardian Gjini ka bërë të ditur se javën e kanë nisur me aktivitete në Vushtrri, ku bashkë me ekipin e tij kanë zhvilluar takime me përfaqësues të biznesit dhe të rinj të kësaj komune.
Sipas Gjinit, gjatë vizitës është rikonfirmuar mbështetja për ekonominë prodhuese dhe rininë, të cilat ai i ka cilësuar si shtylla kryesore të zhvillimit të vendit.
Ai njoftoi se fillimisht kanë vizituar fabrikën BBI Plast, nën udhëheqjen e ndërmarrësit Irfan Zekolli, për të cilën tha se që nga viti 2016 po dëshmon potencialin e prodhimit vendor.
“Ndërmarrësit tanë janë heronjtë e heshtur të ekonomisë, andaj krijimi i një mjedisi të favorshëm për ta mbetet ndër prioritetet tona kryesore”, ka shkruar Gjini.
Ai gjithashtu theksoi se gjatë qëndrimit në Vushtrri kanë takuar edhe të rinjtë e komunës, me të cilët kanë diskutuar për mundësitë e reja të punësimit dhe mbështetjen për idetë inovative.
“Rinia nuk është vetëm e ardhmja, por është forca lëvizëse e të sotmes”, është shprehur ai, duke falënderuar qytetarët e Vushtrrisë për pritjen.









