Gega tek bujqit: Po mbijetojnë mes kostove të larta dhe mungesës së mbështetjes

Kandidati i PDK-së për deputet, Arben Gega, ka vizituar fermerin Mehmet Haxhiaj në fshatin Nëpërbisht, ku nga afër ka parë punën dhe sfidat me të cilat po përballen prodhuesit vendorë.

Duke ecur nëpër parcelat dhe serat e ngritura nga Haxhiaj bashkë me familjen e tij, Gega tha se fermerët vazhdojnë të mbeten shtylla kryesore e ekonomisë rurale, pavarësisht vështirësive të mëdha ekonomike.

Gjatë vizitës, fermeri Haxhiaj foli për rritjen e kostove të prodhimit dhe vështirësinë për të siguruar fitim nga puna në bujqësi.

“Nëse sivjet dalim zero-zero, jam i pari i shokëve. Na u kanë rrit kostot, na u ka shtrejtu nafta”, deklaroi ai.

Sipas Gegës, fermerët si Haxhiaj po mbajnë gjallë prodhimin vendor me punë të vazhdueshme dhe angazhim familjar, ndërsa institucionet nuk po arrijnë t’u ofrojnë mbështetjen e nevojshme.

“Burrë punëtor e i devotshëm, që me duart e veta ka mbjellur parcelat e ka ngritur serat, duke punuar me familjen për të siguruar jetën dhe që mos ta braktis vendin”, tha Gega.

Ai shtoi se Haxhiaj, pavarësisht investimeve dhe punës shumëvjeçare në bujqësi, nuk ka arritur të përfitojë nga subvencionet në masën që do të duhej të mbështetej nga shteti.

Sipas Gegës, kjo tregon problemet që fermerët hasin me mbështetjen institucionale dhe mungesën e politikave efektive për zhvillimin rural.

“Një qeveri që i do fermerët e saj nuk u dhuron para në prag të zgjedhjeve. Ajo investon në infrastrukturë rurale, në sisteme ujitjeje, në kredi të lehta, në çmime garantuese dhe në eksport”, deklaroi kandidati i PDK-së.

Gega shtoi se gjatë gjashtë viteve të fundit fermerët janë lënë pa mbështetje të mjaftueshme, ndërsa kostot e prodhimit kanë vazhduar të rriten.