Në kërkim nga Italia për trafik droge dhe plagosje, arrestohen dy persona në Shqipëri

Dy persona, të cilët ishin në kërkim nga drejtësia italian, janë arrestuar në kuadër të operacioneve të koduara “Operacionalja 94” dhe “The Wanted”.

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 94”, lokalizuan dhe kapën në Kavajë shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar, Saimir Dakoli, 48 vjeç, banues në Kavajë, shkruan vizionplus.tv, raporton klankosova.tv.

Gjykata e Apelit e Venecias/Itali e ka dënuar me 7 vjet e 4 muaj burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur 6 vjet, 4 muaj e 20 ditë burgim, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.

Ndërsa në Durrës, në kuadër të operacionit “The Wanted”, Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit pranë DVP Durrës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, bëri të mundur lokalizimin dhe kapjen, në lagjen nr. 1 Durrës, të shtetasit Elton Stafa, alias Elton Zani, alias Seit Stafa, alias Sadik Dervishi, alias Vladi Ymeri, alias Hasan Ymeri, 47 vjeç, banues në Shijak.

Gjykata e Apelit në Milano/Itali e ka dënuar me 5 vjet e 7 muaj burgim, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Mbajtja e sendeve të vjedhura” dhe “Mbajtja pa leje e armëve”, të parashikuara nga legjislacioni penal italian.

Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për finalizimin e procedurave për ekstradimin e dy shtetasve të kapur.