Supremja refuzon ankesën e Listës Serbe, ku kërkohej anulimi i vendimit për certifikimin e listës së Rashiqit

Gjykata Supreme e Kosovës e ka refuzuar ankesën e paraqitur nga Lista Serbe, përmes së cilës kishte kërkuar të anulohej vendimi i PZAP-së, i cili kishte konfirmuar certifikimin e KQZ-së për listën e Nenad Rashiqit.

Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Listës Serbe, teksa e ka vërtetuar vendimin e PZAP-së.

PZAP kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik “Lista Serbe”, të paraqitur kundër vendimit të KQZ, lidhur me certifikimin e dhjetë (10) kandidatëve të subjektit politik “Za Slobodu Pravdu i Opstanak”, për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 07 Qershor 2026.

Kundër vendimit të PZAP-së, Lista Serbe kishte ushtruar ankesë në Gjykatë Supreme, por Supremja e ka cilësuar si të pabazuar ankesën.

Gjykata Supreme vlerësoi se ankuesi nuk ka ofruar prova konkrete, të besueshme dhe bindëse për të mbështetur pretendimet se kandidatët e certifikuar nga KQZ-ja nuk i përkasin komunitetit serb.

Gjykata Supreme thekson se publikimet në portale elektronike apo artikujt medialë nuk përbëjnë prova juridikisht relevante për të vërtetuar përkatësinë etnike të kandidatëve.

Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme thekson se barra e të provuarit bie mbi ankuesin dhe se pretendimet për shkelje kushtetuese apo ligjore nuk mund të mbështeten vetëm në supozime apo interpretime subjektive.

Gjykata Supreme gjithashtu vlerëson se vendimi i PZAP-së është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.