Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bardhyl Hasanpapaj, e ka vlerësuar si “blerje të votave” ndarjen e pakos së Qeverisë për përballjen me inflacionin.
Hasanpapaj ka thënë se pensionistët, studentët dhe punëtorët e sektorit privat nuk kanë nevojë për ryshfet elektoral, por për paga dinjitoze dhe siguri për të ardhmen.
“Katër vite i lanë qytetarët vetëm përballë varfërisë, çmimeve të larta dhe mungesës së perspektivës. Sot, në prag të zgjedhjeve, ky blerës recidivist dhe kjo qeveri në detyrë po tentojnë ta blejnë votën me nga 100 euro nga paratë e vet qytetarëve. Pensionistët, studentët dhe punëtorët nuk kanë nevojë për ryshfet elektoral, por për paga dinjitoze, zhvillim dhe siguri për të ardhmen”, ka thënë ai.
Kandidati me numër 34 në listën e LDK-së i ka bërë thirrje Prokurorisë që ta hetojë këtë vendim, pasi që sipas tij qytetarët meritojnë zgjedhje të lira.
Në fund ai premtoi se LDK-ja shtesa do t’i ndajë me ligj.
“I bëjmë thirrje Prokurorisë dhe institucioneve përgjegjëse ta hetojnë këtë vendim dhe kohën në të cilën po zbatohet, sepse qytetarët meritojnë zgjedhje të lira, jo manipulim me buxhetin e shtetit. Kosova nuk blihet me 100 euro. Lidhja Demokratike e Kosovës shtesat për qytetarët do t’i ndajë me ligj, të planifikuara dhe të garantuara institucionalisht, jo me vendime elektorale në prag të zgjedhjeve”, thuhet në reagimin e tij.









