Sindikata e Punëtorëve të RTK-së: Po rrezikohet funksionimi i transmetuesit publik të Kosovës

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, shpreh shqetësim të thellë për situatën alarmante të krijuar në Radiotelevizioni i Kosovës pas veprimeve përmbarimore përmes të cilave nga llogaritë e RTK-së janë tërhequr rreth 1 milion euro, duke e lënë transmetuesin publik pa mjete operative financiare.

Sot, RTK përballet me rrezik real për paralizim funksional. Kur një transmetues publik mbetet pa mjete për operim normal, atëherë nuk vihet në rrezik vetëm puna e institucionit, por edhe funksionimi i një mekanizmi esencial të informimit publik në Republikën e Kosovës.

Është jashtëzakonisht shqetësuese që një institucion me rëndësi kushtetuese dhe publike si RTK të sillet në një gjendje ku vihet në pikëpyetje funksionimi bazik i tij, siguria e qindra punonjësve dhe vazhdimësia e misionit publik që ka ndaj qytetarëve.

SPERTK nuk konteston zbatimin e ligjit dhe as procedurat gjyqësore, por kërkon me shqetësim serioz që të sqarohet nëse gjatë këtij procesi janë respektuar parimet e proporcionalitetit dhe interesit publik, duke pasur parasysh pasojat që ky veprim ka prodhuar ndaj transmetuesit publik.

Kërkojmë nga Gjykata Supreme e Kosovës dhe institucionet kompetente që urgjentisht të trajtojnë këtë rast dhe të vlerësojnë nëse procedurat e ndjekura kanë qenë në përputhje me mbrojtjen që duhet ta kenë institucionet me rëndësi të veçantë për shtetin.

Po ashtu shtrohet pyetja serioze institucionale: si është lejuar që RTK të sillet në prag të bllokimit financiar pa asnjë mekanizëm mbrojtës nga institucionet përgjegjëse?

SPERTK paralajmëron se pasojat e kësaj situate mund të jenë të rënda jo vetëm për punëtorët e RTK-së, por edhe për vetë funksionimin e transmetuesit publik të Kosovës.