Kandidati për deputet nga PDK-ja, Arben Gega, ka deklaruar se Qeveria aktuale nuk ka arritur të prodhojë rezultate konkrete në zhvillimin ekonomik, investimet kapitale dhe sektorin publik.
Ai tha se edhe pse ka kaluar një mandat i plotë katërvjeçar, qytetarët ende nuk kanë parë projekte apo rezultate që mund të përmenden si sukses i qeverisë.
“Shumë më lehtë e kisha pasë me fol sikur të kishte bërë diçka”, deklaroi Gega, duke shtuar se “nuk di njeri ka me ja ngjit kësaj qeverie”.
Sipas tij, për vite të tëra është folur për ndërmarrje të mëdha publike si Trepça dhe KEK-u, por pa rezultate konkrete në terren.
“Është folur për Trepçën, kah ka shkuar kryeministri ka folur për Trepçën. Sot i kemi minatorët e Trepçës që prej 2019-ës nuk ju ka paguar Trusti”, tha ai.
Gega shtoi se nuk është bërë asnjë investim serioz dhe se debatet politike rreth bordeve dhe institucioneve nuk kanë sjellë ndryshim real për qytetarët.
“Nuk është blerë asnjë mjet. Është fol për KEK-un, është fol se a me u shu bordi i AKP-së, tash u bë prapë bordi i AKP-së. Nuk ka asnjë send që di me tregu”, deklaroi ai.
Ai tha se edhe si kundërshtar politik do ta pranonte një sukses të qeverisë po të ekzistonte një i tillë.
“Kisha qenë shumë i kënaqur me thënë po e ka bërë këtë. Po sa i përket sektorit privat, investimeve kapitale, zhvillimit të vendit, nuk di që me përmend që këtë e ka bërë të mirë”, përfundoi Gega që mban numrin 68 në listën e PDK-së.








