Kur Mikel Arteta mori drejtimin e Arsenalit në dhjetor 2019, klubi londinez ishte larg lavdisë së dikurshme. Pas tri sezonesh radhazi si nënkampion, tekniku spanjoll arriti ta ngjisë ekipin në majën e futbollit anglez, duke kurorëzuar një projekt të ndërtuar me durim gjatë 6 viteve e gjysmë. Për Artetën, ky ishte një kthim emocional, pasi kishte veshur fanellën e Arsenalit si lojtar (2011-2016).
Pas epokës 22-vjeçare të Arsène Wenger, klubi kishte nevojë për transformim të thellë. Periudha e Unai Emery nuk solli ndryshimin e pritur, kryesisht për mungesë mbështetjeje nga drejtuesit. Arteta, si figurë e brendshme e klubit, ndërhyri në çdo aspekt; nga ambientet stërvitore në “London Colney” deri te mentaliteti dhe kultura e skuadrës.

Në qendër të projektit qëndron mbështetja absolute e pronarit amerikan Stan Kroenke. Marrëdhënia mes tij dhe Artetës u forcua edhe në vitet pa trofe, duke krijuar bazat e një projekti afatgjatë. Revolucioni nuk do të realizohej pa investime masive. Arsenali ka shpenzuar mbi 1 miliard euro në merkato gjatë epokës së Artetës, nivel investimi i krahasueshëm me rivalët si Manchester City, Chelsea dhe Liverpool.

Mes transferimeve më të rëndësishme spikasin Declan Rice, i blerë për 116 milionë euro nga West Ham United, Martin Ødegaard për 35 milionë nga Real Madridi dhe David Raya për 32 milionë nga Brentford. Projekti u kompletua me emra si Kai Havertz, Mikel Merino, si dhe dy shtyllat e mbrojtjes, William Saliba e Gabriel Magalhães.

Paralelisht, akademia vazhdoi të prodhojë talente. Bukayo Saka, Myles Lewis-Skelly dhe Max Dowman janë shembujt më të qartë të vazhdimësisë së projektit. Një rol të veçantë ka edhe ndihmësi Nicolas Jover, arkitekti i transformimit të Arsenalit në goditjet standarde, ku londinezët konsiderohen ndër ekipet më të frikshme në botë.
Simboli më domethënës i këtij transformimi është një pemë ulliri e mbjellë nga vetë Arteta pranë zyrës së tij. Ajo ujitej çdo ditë, njësoj si projekti i Arsenalit. Sot, pema është rritur e fortë, ashtu si “Artetizmi”, që me kontratën e trajnerit deri më 2027 duket se sapo ka hyrë në epokën e tij më të artë.

The post Nga rrënojat pas Wenger te super Arsenali kampion; “revolucioni” miliardësh i Artetës që pushtoi Anglinë appeared first on Telesport.









