Bashkimi i Vjosës me LDK-në, Lushtaku Sadriu: Njerëzit po na admirojnë për hapat që i kemi ndërmarrë

Ish-shefja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku – Sadriu, ka thënë se populli i ka mirëpritur ndryshimet brenda partisë për zgjedhjet e 7 qershorit, duke marrë në fokus marrëveshjen me listën e ish-presidentes Osmani.

E ftuar në VV Show me Vehbi Kajtazin e Visar Ymerin, Lushaku – Sadriu tha se LDK-ja ia ka dhënë mundësinë të gjithë të djathtëve që këto zgjedhje të jenë pjesë e një liste të përbashkët, duke treguar edhe synimet dhe premtimet që kjo parti ka në këtë fushatë.

“Gati krejt partitë politike e kanë bazën prej LDK-së, kështu që LDK-ja në bazë të kësaj historie që e ka pas shpeshherë ka humbur njerëz, e në këtë rast ne ia kemi dhënë mundësinë një bashkimi të të gjithëve jo vetëm Vjosa Osmanit, por të gjithë atyre të djathtëve të qendrës që besojnë se e majta nuk është përgjigje zhvillimore për shtetin tonë. Jo vetëm që nuk është qeverisje e mirë, por nuk është e mjaftueshme për të krijuar prespektivë për të rinjtë, kështu që kjo nuk është vetëm bashkim i njerëzve, por edhe platformë e së djathtës së qendrës”, ka thënë Lushaku – Sadriu në VV Show.

Ajo bëri të ditur se projektet zhvillimore janë qëllimi kryesor i LDK-së me bashkimin e të djathtëve.

“Me projekte zhvillimore ekonomike që hapin vende pune e perspektivë për të rinjtë, që bëjnë projekte atraktive, qendra teknologjike, që krijojnë vizion për të rinjtë. Kjo është platforma jonë politike rreth së cilës kemi bërë thirrje me u bashku të gjithë e kështu është edhe Osmani që i është bashkuar garës sonë zgjedhore për me e çu LDK-në në nivel tjetër. Për me ia dhënë mundësinë me qeverisë vendin, ky është qëllimi ynë”.

Lushaku – Sadriu bëri të ditur se populli e ka mirëpritur me shumë dashamirësi rikthimin e Vjosa Osmanit në LDK.

“Ka njerëz që po na admirojnë për këta hapa që i kemi bërë brenda partisë, por edhe për qëllimin e mirë për Kosovën. Si parti na ka rënë të sakrifikohemi për të mirën e Kosovën, kjo është fakt. Rezultatet kemi me i pa në fund, por ndjenja është e mirë, qëllimi është i mirë, që me pas qeverisje më të mirë. Janë hapa të guximshëm por për këtë jemi”, ka thënë ajo në VV Show.