Kandidati për deputet nga PDK-ja, Arben Gega, ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla lidhur me idenë për themelimin e Xhandarmërisë së Kosovës, duke thënë se prioritet duhet të jenë kushtet bazike për Policinë e Kosovës.
Sipas Gegës, para se të flitet për struktura të reja të sigurisë, institucionet duhet të sigurojnë mbrojtje shëndetësore dhe jetësore për policët ekzistues.
“Albin Kurti dhe Xhelal Sveçla përpara se të bëjnë fushatë me themelim të Xhandarmërisë së Kosovës, do të ishte mirë që të plotësonin kushtet e policëve të Kosovës, të cilët nuk kanë sigurim shëndetësor e as jetësor”, deklaroi ai.
Gega tha se pjesëtarët e Policisë së Kosovës çdo ditë përballen me rrezik për jetën dhe shëndetin e tyre, ndërsa shpesh detyrohen që shpenzimet t’i mbulojnë vetë ose të varen nga ndihmat e qytetarëve.
“Motrat dhe vëllezërit tanë që janë në radhët e Policisë së Kosovës, çdo ditë janë përball me rrezikun që i kanos jetën dhe shëndetin e tyre, por për këtë duhet të ballafaqohen më pas me të hyrat e veta personale”, tha ai.
Ai përmendi edhe rastet kur për policë të lënduar apo me probleme shëndetësore organizohen iniciativa humanitare për mbledhje fondesh.
“Në rastin më të keq të na dalin në postime për t’i përkrahur qytetarët me të holla si ndihmë humanitare. Jo kështu nuk shkon”, u shpreh Gega.
Sipas tij, qytetarët paguajnë taksa që institucionet t’u garantojnë policëve mbrojtje bazike dhe dinjitet në punë.
“Ne paguajmë taksa, e duam që nga taksat tona ata të sigurohen me sigurim shëndetësor dhe jetësor. Leni filmat me Xhandarmëri, kap plotësoni kushtet bazike për policë”, deklaroi ai.









