Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në këto gjashtë vjet pushtet shmangu pothuajse tërësisht intervistat televizive në Kosovë ose shkoi aty-këtu shkoi në televizionin publik ku nuk sfidohej fare ose te televizionet lokale edhe aty i pasfiduar.
Kësaj herë, në kohë fushate, Kurti shkoi në KTV me të njëjtën agjendë: për të fajësuar partitë e tjera që në legjislaturën jetëshkurtër që doli nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, ishin në opozitë, për çështjen e presidentit dhe për të hequr përgjegjësinë nga vetja për këtë dështim, ani pse kishte 66 deputetë në radhët e veta.
Në njërin prej disa momenteve të intervistës në “Interaktiv”, Kurti humbi pak kontrollin kur iu bë një pyetje kur gjendjen në Kosovë para se të vinte në pushtet e barazoi me një bodrum të përmbytur me ujë.
U ankua se kjo ishte akuzë nga gazetari.
“Serbia nuk ka pranuar që të na jep kadastrin origjinal, por s’po na jep as kopjen. Veç po tregoj një element të vogël, problemet pronësore, ama ne e kemi gjetur Kosovën në bodrum, gjysmë metri ujë aty, o në bodrum e kam marrë e gjysmë metri ujë, ti po thu pse s’jam në kat të tretë?”, ishte përgjigja e Kurtit para se t’i bëhej pyetja e radhës që e nervozoi.
“Mos jeni duke e mbush ende?”, qe pyetja e gazetarit Eraldin Fazliu.
“Jo s’jam tu e mbush ende, kjo është akuzë, qysh mos po e mbushim bodrumin ende”, u përgjigj ai.
Kurti para se të vinte në pushtet akuzonte qeverisjet e kaluara për varfërinë në Kosovë dhe kishte premtuar se do ta ndryshonte këtë me ardhjen e tij në pushtet.
Së fundmi, raporti i WorldAtlas e vendosi Kosovën pas Moldavisë si vendin më të varfër në Evropë.
“S’kemi qenë veç më të varfrit, por ishim shumë të varfër. Tash jemi shumë më pak të varfër, e megjithatë jemi ndër më të varfrit. Ky është realiteti. Por, nëse shikoni përparimet e këtyre viteve, padyshim të arriturat janë të pamohueshme”, tha Kurti.
Ai ka thënë po ashtu se është ndalur korrupsioni në vend.
“Kur s’ka ryshfet në fillim e as haraç në fund, atëherë lulëzojnë bizneset. Asnjë darkë e drekë s’bëjë me biznesmenët, por i ndihmoj të gjithë bashkë”, tha Kurti.
Ai ka thënë se më nuk ka protesta në Kosovë.
Gjithashtu e pranoi se Kosova shihet si jostabile në skenën ndërkombëtare për shkak të krizave të brendshme. Këtu është përmendur Marta Kos, komisoneren evropiane për zgjerim, e cila foli për jostabilitetin politik.
“Marta Kos fliste për jostaiblitetin politik, fonde caktuara nuk mund të kemi qasje në to dhe ka shumë telashe me qeveritë që nuk janë fuqiplota. Nuk është njësoj?”,
“Nuk është njësoj por jemi në ballë të përgjegjësisë me gjithçka dimë e mundemi në përputhje me ligjin për qeverinë dhe kushtetutën që institucionet e shtetit të funksionojnë në mënyrë efikase dhe demokratike, shpejtësinë e dikurshme nuk e kanë, imazhi i Kosovës është cenuar ca. Por e patë që Kos ishte me plot vlerësime për vendin tonë, ka disa afate që nuk mund t’i mbërrijmë”, ka thënë Kurti në këtë intervistë.
Si në intervistat e kaluara, Kurti është pyetur edhe për qëndrimet e tij të kaluara, për të cilat dha të njëjtat përgjigje. Në KTV është pyetur se si në të kaluarën pozitën e presidentit e shihte si pozitë noteriale.
U përgjigj se deklarata po i denontekstualizohet.
“Së pari nuk është mirë të dekontekstualizohen deklaratat, unë i kam thënë në një moment të caktuar për një çështje shumë aktuale para shumë viteve. Nuk kam aso pretendime që mund të jap deklarata universaliste jashtëkohore, duhet ta shikoni kur e kam thënë, ndoshta ish-presidenti dikur ka provuar të bëjë diçka të paimagjinueshme dhe kundër shtetit që unë jam përgjigjur dhe kam reaguar asisoj”, ka thënë ai veç të tjerash për çështjen e presidentit.
Ai e ka pranuar se synon 60 për qind në zgjedhjet e 7 qershorit, ani pse mund të dëmtojë demokracinë pasi një parti mund të ketë kontroll të plotë të shtetit, duke u shndërruar në autokraci.
“Sa e dëmton realisht demokracinë, modeli që kemi ne i demokracisë ju jep pastaj pushtet absolut që të vendosni mbi çdo çështje dhe shumëkush ju akuzon për këtë se ju po tentoni të kontrolloni të gjitha levat e pushtetit?” qe pyetja e gazetarit.
“Dëm për shtetin tonë janë këto zgjedhjet e përsëritura sesa një subjekt t’i marrë mbi 60 për qind atëherë kur blloku opozitar keqpërdor një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese nga e kaluara që thuajse kanë pasur motiv ta shkruajnë dhe jo të interpretojnë kushtetutën dhe e patë që Rushiti i mori 63 vota, pra Kosova president ka, por nuk ka kuorum”, u përgjigj Kurti teksa akuzoi pushtetet e kaluara për vendimet e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kuorumin për president.
“Nuk jam i sigurt që Kushtetuta e thotë ashtu, por një aktgjykim me një aktivizëm të jurisprudencës së asaj kohe ka ardhur me një konkluzion të tillë, ne nuk e respektojmë, nuk e vlerësojmë, por e zbatojmë”, ka thënë veç të tjerash Kurti.









