Gjini: Prodhuesit vendorë po mbajnë gjallë ekonominë, shteti duhet t’i heqë barrierat

Ardian Gjini, kandidati për kryeministër nga AAK, ka vizituar sot në Gjakovë kompanitë “Rronifer” dhe “Aulona”, të cilat i cilësoi si shembuj të fuqishëm të prodhimit vendor dhe të qëndrueshmërisë ekonomike.

Gjini tha se në kompaninë “Rronifer”, nën udhëheqjen e familjes Kameri, pa nga afër teknologjinë e avancuar dhe punën e rreth 200 punëtorëve që prodhojnë për tregun vendor dhe eksportojnë jashtë vendit.

Ai vizitoi edhe kompaninë “Aulona”, biznes familjar që operon që nga viti 1989.

“Ditën e kemi nisur sot në Gjakovë me vizita në kompanitë “Rronifer” dhe “Aulona”, dy shembuj të fuqishëm të prodhimit vendor që pavarësisht sfidave të mëdha po mbajnë gjallë ekonominë tonë vendore. Te “Rronifer”, nën udhëheqjen e familjes Kameri, pamë nga afër teknologjinë e avancuar dhe një ekip profesionist prej 200 punëtorësh që prodhojnë për vendin dhe eksportojnë jashtë. Në kompaninë “Aulona”, që operon suksesshëm që nga viti 1989, pamë një model të mrekullueshëm biznesi familjar. E themeluar nga z. Hamdi Krasniqi dhe tani e udhëhequr nga djali i tij, Graniti, ajo punëson rreth 100 punëtorë, ku 95% janë gra dhe vajza”.

Gjini theksoi se sot ky vullnet i jashtëzakonshëm po goditet nga barriera shtetërore, për të cilat thotë se do të jenë prioritet i tij për zhvillimin e Kosovës.

Megjithatë, ky vullnet i jashtëzakonshëm sot po goditet nga barriera të rënda shtetërore si kriza e vazhdueshme me energjinë, mungesa e infrastrukturës, pasiguria me kontrata dhe paqëndrueshmëria e legjislacionit. Mbështetja e prodhimit vendor dhe eliminimi i këtyre barrierave mbetet prioriteti ynë kryesor për zhvillimin e Kosovës”, shkruan Gjini.