Largohet pas 23 vitesh, me 27 trofe të fituar. Dani Carvajal, legjendë vërtetë e Real Madridit

Real Madridi ka bërë zyrtar largimin e kapitenit Dani Carvajal, duke mbyllur një epokë historike me fanellën “Los Blancos”. Klubi madrilen njoftoi se palët kanë rënë dakord t’i japin fund bashkëpunimit pas një rruge të jashtëzakonshme 23-vjeçare; 10 sezone në akademi dhe 13 me ekipin e parë. Carvajal largohet si një nga legjendat më të mëdha të klubit dhe futbollit botëror. Ai është një nga vetëm 5 lojtarët në histori që e kanë fituar 6 herë Champions League.

Me Realin, mbrojtësi spanjoll fitoi 27 trofe: 6 Champions League, 6 Botërorë Klubesh, 5 Superkupa Europe, 4 tituj në La Liga, 2 Kupa të Mbretit dhe 4 Superkupa të Spanjës. Në total zhvilloi 450 ndeshje dhe shënoi 14 gola. Në nivel individual, ai u përfshi në formacionin më të mirë të “FIFPro 2024”, fitoi çmimin “The Best” për formacionin e vitit dhe u shpall lojtari më i mirë i finales së Champions-it 2024, ku realizoi edhe gol.

Me kombëtaren e Spanjës numëron 51 ndeshje, duke fituar “Euro 2024” dhe Ligën e Kombeve 2023. Presidenti Florentino Perez deklaroi: “Dani Carvajal është një legjendë dhe simbol i Real Madridit. Ai ka përfaqësuar gjithmonë vlerat e klubit në mënyrë shembullore. Kjo do të jetë gjithmonë shtëpia e tij”. “Santiago Bernabeu” do ta nderojë Carvajal këtë të shtunë në ndeshjen e fundit të sezonit në kampionat.

The post Largohet pas 23 vitesh, me 27 trofe të fituar. Dani Carvajal, legjendë vërtetë e Real Madridit appeared first on Telesport.