Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Milot Krasniqi tha se shpallja e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit është e paligjshme dhe anti-kushtetuese.
Prokurori special, i deleguar nga radhët e Prokurorisë Speciale në rolin e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, shpjegoi shkeljet e kryera në procesin e përzgjedhjes së Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit të vitit 2022 dhe ngriti alarm për ndërhyrje politike në punën e KPK-së.
Krasniqi, i cili ishte i vetmi nga pesë anëtarët e KPK-së që votoi kundër shpalljes së konkursit për Kryeprokuror të Shtetit, pyeti pse Këshilli si organ i pavarur “po bie nën diktatin e pushteteve të tjera”.
“Mendoj që Këshilli duhet të tregojë integritet dhe vendosmëri në ushtrimin e mandatit të tij, duke siguruar se vendimmarrja për këtë proces e bën vet sepse e ka përgjejgësi dhe mandat”, tha Krasniqi
“Këshilli e ka mundësinë të dëshmojë se është i pavarur dhe se i bindet vetëm mandatit të tij që buron nga Kushtetua dhe Ligji, por sigurisht edhe mund të vazhdojë tutje kështu, duke dëshmuar të kundërtën fatkeqësisht”, u shpreh Krasniqi.
Ai, tutje pyeti nëse është domosdoshmëri që kandidati për Kryeprokuror të Shtetit të ketë pëlqimin e kryeministrit, ndërsa citoi fjalët e kryeministrit në detyrë Albin Kurti kundër përzgjedhjes së Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit.
“Unë para juss dhe publikut i parashtroj disa pyetje të cilat janë me interes për procesin: Pse u pengua dekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit? Kush pati rol kyç në këtë proces? Kush i kontribuoi tutje kësaj pengese? A pati vërtetë arsye kushtetuese, ligjore, njerëzore apo morale për refuzimin e dekretimit? A duhet që domosdoshmërisht kandidati për Kryeprokuror të Shtetit të ketë pëlqimin dhe miratimin e pushteteve të tjera, siç ishte deklaruar ish-kryeministri në Kuvend se ‘prokurori i propozuar për t’u bërë Kryeprokuror i Shtetit po do të bëhet kundër vullnetit të kryeminsitrit, presidentit dhe kryetarit të Kuvendit?’ Me shpalljen e konkursit, a po bie Këshilli nën diktatin e pushteteve të tjera?”, pyeti prokurori Krasniqi.
Në fund të fjalës së tij, ai tha se “pengesë ka qenë kandidati [Blerim Isufaj, v.j] e jo asessi procesi”.
Sipas Krasniqit, procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit nuk mund të anulohet nga Presidenca, por nga gjykatat. /Paparaci.com









