Këngëtarja me origjinë shqiptare dhe famë botërore, Bebe Rexha, ka dalë në mbështetje të protestës së studentëve shqiptarë që do të mbahet nesër në Maqedoninë e Veriut.
Përmes disa postimeve në Instastory, Rexha ka shpërndarë thirrjen për protestë, ndërsa me një mesazh ka mbështetur kërkesat e studentëve shqiptarë.
“Gjuha jonë shqipe është thellësisht e rrënjosur në identitetin tonë. Për breza me radhë, kemi luftuar ta ruajmë dhe ta mbajmë gjallë. Maqedonia e Veriut është një shtet multietnik, i ndërtuar mbi bashkëjetesën dhe të drejtat e barabarta për të gjitha komunitetet e tij, ku gjuha shqipe njihet si gjuhë bashkëzyrtare”, ka shkruar ajo.
Rexha theksoi se studentët po protestojnë kundër ndalimit të dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe shkroi njëherësh se studentët shqiptarë meritojnë të njëjtat të drejta dhe mundësi si të gjithë të tjerët./Klankosova.tv










