Arbeloa: Ajo që tha Mbappé është diçka që e kisha diskutuar tashmë me të…

Real Madrid përballet me javën e parafundit të kampionatit duke luajtur në transfertë ndaj Sevilla. Në prag të ndeshjes, Álvaro Arbeloa iu përgjigj mediave në konferencë për shtyp, me deklaratat polemizuese të Mbappé ende në qendër të vëmendjes: “Sevilla vjen pas tri fitoreve radhazi, po i bën shumë mirë gjërat me Luis. Ka arritur ta përmbysë situatën negative. ‘Pizjuán’ është gjithmonë emocionues për atmosferën që krijohet kur shkojmë atje. Është një nga tifozëritë më të mira në Spanjë. Do të jetë sërish një betejë e vështirë”.

A ka folur me Mbappé – “Sapo e pashë dhe i thashë të ishte i qetë. Mund të duket si lajm, por ajo që tha është diçka që e kisha diskutuar më parë me të. I jap natyrshmëri. E di çfarë është të luash çdo ditë dhe të mos luash. E kuptoj. E di që nuk ishte i kënaqur dhe kjo më pëlqen. Nuk do ta kuptoja që Kylian të mos donte të luante. Për mua është normale. Duke ditur situatën nga vinte, më e mira ishte të luante pak në pjesën e dytë”.

A i ka ardhur keq që Mbappé ka folur për gjëra të dhomës së zhveshjes – “Jo, nuk më ka ardhur keq. Sa herë flas me lojtarët nuk kam frikë. Kur flas privatisht, më pëlqen të mbetet private, por nuk më shqetëson nëse komentohet. Fola me të para ndeshjes, qëndron ajo që ju thashë atëherë, asnjë problem”.

A del më i fortë apo i dëmtuar – “Isha trajner të rinjsh dhe largohem si trajner i La Liga-s, që ka drejtuar ndeshje të Champions League. Për mua këto 4 muaj kanë qenë eksperiencë e madhe, një mësim. Të jem para jush është gjithashtu një master. Do të largohem me ndërgjegje të pastër”.

Si do të donte të mbahej mend nga tifozët dhe dhoma e zhveshjes – “Real Madridi ka miliona tifozë dhe disa do të jenë më dakord e disa më pak. Unë e ndjej dashurinë e tifozëve. Jam 43 vjeç dhe 20 vite i kam kaluar te Real Madridi. Janë shumë vite në atë që e konsideroj shtëpinë time”.

José Mourinho për këtë “dhomë zhveshjeje të pamenaxhueshme” – “Nuk e kuptoj mirë këtë gjë të dhomës së zhveshjes së pamenaxhueshme. Nuk jam dakord. Ditën që klubi të marrë një vendim, do ta njoftojë kur ta shohin të arsyeshme. Gjithmonë kam qenë i qartë për José. Si madridist, e ndiej që është numri 1. E kam thënë edhe në Champions. E mendoja një muaj më parë dhe do ta mendoj gjithmonë. Do të jetë gjithmonë njëri nga ne. Nëse kthehet, do të jem shumë i lumtur për të”.

Gjëja më e vështirë e kësaj periudhe – “Gjëja më e vështirë te ky klub është gjithmonë kur nuk fiton. Është ajo që më dhemb më shumë, që nuk i kam ndihmuar lojtarët të fitojnë trofe. Mospasja mundësi t’i ndihmoj ka qenë ajo që më ka dhembur më shumë”.

Mbappé i “hedh benzinë zjarrit”: Trajneri më ka thënë se jam sulmues i katërt te Real Madridi…

Arbeloa: Për sa kohë jam këtu, unë vendos kush luan; nuk më intereson si quhet

The post Arbeloa: Ajo që tha Mbappé është diçka që e kisha diskutuar tashmë me të… appeared first on Telesport.