Aksion i Policisë në Prishtinë, kapet sasi e drogës

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar në Prishtinë, pas sekuestrimit të një sasie të konsiderueshme të substancave narkotike dhe një arme zjarri, në kuadër të planit operativ “Stop Drogave”.

Sipas njoftimit policor, më 15 maj 2026, njësitë policore kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa vendore, të cilën e drejtonte një i dyshuar mashkull kosovar.

Pas konsultimit me prokurorin kompetent, policia ka kryer bastisje në banesën e të dyshuarit, ku gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, një karikator dhe 13 fishekë.

Kontrolli më pas ka vazhduar në depon e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe konfiskuar:

  • 159 paketime të mbështjella me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë;
  • 3 qese me substancë të dyshuar marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 336.9 gramësh, të gatshme për shitje;
  • një qese me pluhur të bardhë, e dyshuar si kokainë, me peshë prej 3 gramësh;
  • një peshore digjitale.

Të gjitha provat materiale janë evidentuar, fotografuar dhe tërhequr nga njësia e forenzikës për procedura të mëtejshme hetimore.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është intervistuar dhe më pas është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet nga autoritetet kompetente.