Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka thënë se nëse kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku arrestohet me dhunë nga forcat e rendit atëherë edhe qytetarët do të reagojnë dhunshëm.
Ai para policisë në Skënderaj u shpreh se rastet e ndodhura gjatë ditës së djeshme janë turp, raporton Ekonomia Online.
“Ju e dini se unë sot kam pasur një mbledhje me këshillin e ngushtë, me anëtarësinë time, kam biseduar me ta, kemi marrë një vendim: nëse tenton Policia e Kosovës apo Prokuroria në këtë rast jo policia, të qesë një fletarrest a ta marrin Sami Lushtakun me dhunë, atëherë ne do të përgjigjemi me dhunë. Këtë le ta dinë shumë mirë, shumë qartë. Këta njerëz janë të tubuar në mbrojtje të së drejtës, Nëse Sami Lushtaku shkon vullnetarisht edhe është një ftesë nga Prokuroria me u vullnetarizu, ne do të pranojmë. A nëse tentojnë ata me dhunë, dhuna është vazhdimësi. Drenica di me i prit miqtë, Drenica gjithmonë ka qenë e hapur për miq. Policia është e jona, ne me policinë nuk duam të shtyhemi, ta kenë të qartë, se ne, siç thashë edhe në fillim, ata janë tanët dhe ne për ta kemi luftuar me i pru në pushtet. E sot me na ndodhur kjo siç ndodhi mbrëmë është marre dhe është një turp i madh nga politika, çka është duke bërë Albin Kurti në këtë fushatë”, tha ai.








