Reagon Gashi: Kosova fiton vetëm atëherë kur politika sillet si shtet, e jo si turmë

Ish-deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, ka reaguar pas zhvillimeve të mbrëmshme në Skenderaj, duke kritikuar qasjen e pushtetit ndaj institucioneve të drejtësisë dhe përdorimin e njësive speciale policore në Drenicë.

Gashi tha se Kosova nuk ka nevojë për politikë përçarëse dhe tensione, por për respektim të ligjit dhe institucioneve.

“Kjo nuk është politika që i duhet Kosovës”, deklaroi ai.

Sipas tij, nuk mund të konsiderohet lidership kur zyrtarët shtetërorë shmangin përgjegjësinë para drejtësisë dhe institucioneve.

“Nuk është lidership kur Kryeministri refuzon të paraqitet para drejtësisë. Nuk është lidership kur një kryetar komune shmang përgjegjësinë për të dëshmuar mbi një incident”, tha Gashi.

Ai shtoi se shteti ligjor duhet të vlejë njësoj për të gjithë, pavarësisht pozitës politike apo institucionale.

“Mbi çdo funksion, mbi çdo pozitë dhe mbi çdo emër politik, duhet të qëndrojë Republika dhe ligji i saj”, u shpreh ai.