Koci për praninë e Njësisë Speciale në Skenderaj: Është fyerje për të gjithë ne

Avokati Arianit Koci ka reaguar ndaj pranisë së forcave të shtuara policore në Skenderaj, duke e cilësuar situatën si të panevojshme dhe fyese për qytetarët.

Përmes një reagimi në Facebook, Koci tha se problemet nuk zgjidhen me demonstrim force dhe se dërgimi i njësive të shumta policore në Skenderaj nuk i shërben qetësimit të situatës.

“Prania e forcave të mëdha policore në Skenderaj është fyerje jo vetëm për qytetarët e atij qyteti, por për të gjithë ne”, ka deklaruar ai.

Sipas Kocit, Skenderaj nuk është qytet që mund të frikësohet me autoblinda apo me prezencë të madhe policore.

“Skenderaj nuk është qytet që frikësohet me autoblinda e demonstrim force. Këtë e ka dëshmu shumë herë”, u shpreh ai.

Ai ka bërë thirrje për unitet dhe për ulje të tensioneve, duke theksuar se Kosova ka sfida më të mëdha me të cilat duhet të merret.

“Kosova ka ende shumë çështje të hapura me Serbinë. Kemi probleme ekonomike, jostabilitet politik dhe sfida tjera serioze. Energjia dhe vëmendja jonë duhet me u përqendru aty, jo në përplasje mes vete”, deklaroi Koci.

Në fund, ai u bëri thirrje liderëve politikë që të reagojnë menjëherë për të qetësuar situatën dhe për të tërhequr policinë nga Skenderaj.

“Liderët, nëse ka e nëse janë të pjekur, duhet me reagu menjëherë, me e qetësu situatën dhe me e tërheqë policinë nga Skenderaj. Menjëherë!”, përfundoi ai.