Bujar Gimolli: LVV ka dashur një president “kukull” dhe jo Vjosa Osmanin

Bujar Gimolli ka reaguar pas deklaratës së Glauk Konjufcës, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se nuk ka pasur interes real për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente.

Konjufca tha: “Pse me ia dhanë Kosovës një presidente e cila do ta godiste vazhdimisht qeverinë në vitin 2027, 2028, 2029, 2030”

Në një postim, Gimolli tha se deklarata e Konjufcës e bërë gjatë mbrëmjes “e tregoi qartë” qëllimin e LVV-së për të pasur një president që, sipas tij, “i shërben partisë”.

“Glauk Konjufca e tha sonte qartë. Këta e kanë dashte një president kukull që e dëgjon LVV-në, e jo dikënd që e kritikon atë”, ka shkruar Gimolli.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që ta shpërndajnë një video, për të cilën pretendon se dëshmon se LVV-ja “kurrë nuk kishte interes” që ta zgjidhte Vjosa Osmanin presidente.

Sipas Gimollit, gjatë gjithë kësaj kohe partia në pushtet ka bërë “luftë për hedhje të fajit”, ndërsa ka pretenduar se plani ka qenë dërgimi i vendit në zgjedhje të reja.

“Dhe krejt kjo është bërë veç për një qëllim; me pasë një president që i shërben LVV-së. Sepse Vjosa Osmani nuk ua ka mundësuar këtë”, ka deklaruar ai.