Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se në ambasadën e Kosovës në Bruksel ka zhvilluar një takim me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Konjufca në rrjetin social “X”, në takim është diskutuar për avancimin e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë takim mori pjesë edhe kryenegociatori Agron Bajrami, me të cilin, sipas ministrit, është rikonfirmuar përkushtimi i Kosovës për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në procesin e dialogut.
Konjufca theksoi se qëllimi i qartë i Kosovës mbetet përmbyllja e procesit përmes njohjes reciproke mes dy vendeve.
“Ishte kënaqësi të mirëpresim Peter Sorensen në ambasadën tonë në Bruksel për një diskutim të strukturuar mbi avancimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Së bashku me kryenegociatorin tonë, Agron Bajrami, riafirmuam se Kosova mbetet plotësisht e përkushtuar dhe e angazhuar në mënyrë konstruktive në këtë proces — me synimin e qartë për ta përmbyllur atë përmes njohjes reciproke”, ka shkruar Konjufca.









