Agim Veliu i cili e refuzoi kandidimin për deputet nga dega e LDK-së në Podujevë, në emisionin “Debat Plus” në Dukagjini ka rrëfyer në hollësi se përse vendosi ashtu.
Ai e ka quajtur lojë të ndytë krejt atë që u prezentua si kandidim i tij për deputet. Fjalë jo të mira Veliu ka sidomos për kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku.
“Po më vjen keq që ai (Ekrem Hyseni) po shërbehet me të pavërteta. Askush nga Dega nuk më ka kontaktuar e as nuk është konsultuar me mua për përfshirje në listë. Nuk e di çka ka ndodhur kësaj radhe, d.m.th. unë nuk kam ndryshuar asgjë. Herën e kaluar kam bërë deklarim publik që jam i gatshëm të hyj në garë e të kontribuoj për rriten dhe për fitoren e LDK-së dhe kanë qenë kërkesa të shumta të anëtarësisë së LDK-së, të cilat nuk janë marrë parasysh e tash nuk e di çka ka ndodhur, unë nuk kam ndryshuar”, ka thënë ai.
Ai ka folur edhe sa i përket qendrës së LDK-së.
“Qendra e ka pasur një lojë të çuditshme sepse nuk është dashur të pritet kyçja e Agim Veliut në listë në ditën e fundit. Është dashur të ketë deklarim të qartë më herët dhe ka qenë një lojë shumë e ndytë që Agim Veliu të shkojë të trokas në zyrat e LDK-së dhe të rrëfehet te kryetari i LDK-së. Unë nuk kam pasur asnjë arsye që të shkoj e të trokas në derën e askujt sepse unë jam në LDK, unë nuk kam dalë nga LDK-ja. Faktikisht më ka përjashtuar nga LDK-ja Lumir Abdixhiku me disa kolegë të tij dhe asnjëherë nuk është përgjigjur në ankesat e mia që i kam bërë për shkelje të Statutit, për vendim kundërstatutar dhe të pamoralshëm që e kam theksuar disa herë”, ka thënë ai.
Veliu ka treguar se a kishte pasur kontakt me Lutfi Haziri.
“Unë kom pas kontakt, bisedë me Lutfi Hazirin sepse kontaktet me Lutfi Hazirin nuk i kam ndërpre asnjëherë, mirëpo Lutfi Haziri nuk është personi që vendos. Unë po them që ka qenë një përpjekje jo e sinqertë që mua të më detyrojnë të shkoj e të trokas në derën e Lumir Abdixhikut”.









