Drena, si përfaqësuese e industrisë vendore të qumështit dhe prodhimit ushqimor, ka ngritur shqetësim për gjendjen e sektorit në Kosovë, duke paralajmëruar rrezikun për prodhimin vendor dhe rritjen e varësisë nga importi.
Në një letër drejtuar institucioneve të Kosovës, theksohet se prodhuesit dhe përpunuesit vendorë po përballen me kosto të larta dhe konkurrencë të pabarabartë, sidomos për shkak të produkteve të importuara që përmbajnë vaj palme dhe qumësht pluhur.
Drena kërkon trajtim të barabartë në treg, subvencionim të përpunimit të qumështit, mbështetje për eksportin, prioritet për produktet vendore në institucionet shtetërore dhe fushata për promovimin e konsumit të produkteve “Made in Kosova”.
Sipas tyre, forcimi i prodhimit vendor është çështje ekonomike dhe strategjike për vendin.
Më poshtë letra e plotë:
Letër e Hapur për Institucionet e Kosovës
Të nderuara institucione të Republikës së Kosovës,
Drena, si pjesë e industrisë vendore të qumështit dhe prodhimit ushqimor, ndjen obligim të ngrejë shqetësimin për gjendjen gjithnjë e më të vështirë të sektorit vendor.
Sot po rrezikohen ferma, po rrezikohet prodhimi vendor dhe po rritet varësia nga importi. Ndërkohë, prodhuesit dhe perpunuesit vendorë përballen me kosto të larta, mungesë të mbështetjes së mjaftueshme dhe konkurrencë të pabarabartë nga produktet e importuara.
Një shqetësim i veçantë lidhet me përdorimin e vajit të palmës dhe qumështit pluhur. Përderisa prodhuesit vendorë po përballen me kufizime dhe kontrolle të rrepta, në tregun tonë vazhdojnë të hyjnë lirshëm produkte të importuara që përmbajnë yndyra bimore, vaj palme dhe produkte të rikombinuara me qumësht pluhur.
Kjo krijon pabarazi në treg dhe e vendos prodhuesin dhe perpunuesin vendor në pozitë të pafavorshme konkurruese.
Ne nuk kërkojmë privilegje apo mbrojtje dhe trajtim të barabartë, transparencë dhe rregulla të njëjta me ato te BE se.
Zhvillimi i sektorit blegtoral duhet bërë së bashku. Institucionet kanë ndihmuar përmes subvencioneve dhe granteve për fermerët, ndërsa ne si industri kemi garantuar grumbullimin e qumështit vendor, kemi investuar në teknologji, kemi organizuar trajnime dhe kemi mbështetur fermerët edhe në periudhat më të vështira, si ajo gjatë pandemisë.
Shpesh kemi krijuar stoqe dhe kemi pësuar humbje vetëm për të mos e lënë fermerin vendor pa treg.
Megjithatë, përpunuesit vendorë vazhdojnë të mos përfitojnë mbështetje direkte, ndërsa në investime per diversifikim jemi trajtuar në mënyrë jo të drejte nga AZHB ja.
Prandaj kërkojmë:
– trajtim të barabartë për produktet vendore dhe ato të importuara,
– subvencionim për përpunimin e qumështit për litër,
– mbështetje për eksportin,
– prioritet për produktet vendore në institucionet shtetërore,
– fushata vetëdijesuese për konsumimin e produkteve vendore,
dhe krijimin e rezervave shtetërore me produkte vendore.
Ne jemi të gatshëm të ulemi bashkë me institucionet dhe të kontribuojmë me ide dhe zgjidhje konkrete për forcimin e fermerit, përpunuesit dhe kredibilitetit të prodhimit “Made in Kosova”.
Forcimi i prodhimit vendor nuk është vetëm interes ekonomik — është interes kombëtar dhe strategjik për të ardhmen e Kosovës.
Së bashku ja dalim!
Me respekt,
Drena
Prishtinë, Kosovë









