Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se aksi rrugor Mirash- Bardhdhe anasjelltas do të mbyllet për qarkullim për një periudhë disa ditore, duke filluar nga e hëna.
Sipas njoftimit në Facebook, mbyllja e rrugës vjen si rezultat i fillimit të fazës së asfaltimit të këtij aksi, pas përfundimit të punimeve bazike me zhavorr në segmentin prej rreth 6.3 kilometrash.
Gjatë kësaj periudhe, qarkullimi do të ndalohet në të dy drejtimet, si për automjetet e KEK-ut, ashtu edhe për automjetet e qytetarëve dhe autobusët e transportit të punëtorëve.
“KEK do të njoftojë me kohë opinionin dhe qytetarët sapo të krijohen kushtet për qarkullim të sigurt dhe rikthim të plotë të trafikut në këtë aks rrugor. Gjatë kësaj periudhe, KEK i inkurajon të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të shfrytëzojnë rrugët alternative, me qëllim të shmangies së vonesave dhe lehtësimit të zhvillimit të punimeve. Aksi rrugor Mirash – Bardh paraqet një investim me rëndësi të madhe strategjike, duke qenë një rrugë jetike për funksionimin dhe operimet e Korporatës Energjetike të Kosovës, por njëkohësisht edhe një lehtësim i konsiderueshëm për komunitetin dhe qytetarët e zonës përreth. Përmes këtij projekti, KEK po vazhdon përkushtimin për përmirësimin e infrastrukturës, rritjen e sigurisë në komunikacion dhe krijimin e kushteve më të mira si për operimet e korporatës, ashtu edhe për qytetarët”, thuhet mes tjerash në njoftimin e KEK-ut./Klankosova.tv









